Osmani: Vullneti i qytetarëve që shprehen një vit më parë, sot është përdhosur

Prishtinë | 06 Tet 2020 | 11:22 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se një vit më parë qytetarët treguan se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grusht njerëzish.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky vullnet i qytetarëve është përdhosur dhe vota e tyre është tjetërsuar.

Postimi i plotë i saj:

Më 6 tetor të vitit të shkuar Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit. Qytetarët  e saj treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve. Me votën e tyre ata e thanë zëshëm dëshirën e tyre për shtet të së drejtës e për jetë të dinjitetshme.

 Sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar.

 Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar. Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë.

https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/1816683321827257
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme