Kryeshefi Ekzekutiv i Ngrohtores “Termokos”, Fisnik Osmani, ka thënë për Ekonomia Online, se zgjerimi i rrjetit të ngrohtores tek “Banesat e Bardha” është prioritet i tyre, ndërsa përpjekjet po i bëjnë që të fillojnë punimet këtë vit.
Osmani ka thënë se si shkak i mosndarjes së mjeteve, fondit prej pesë milionë eurosh nga Komuna e Prishtinës, këtë projekt synojnë ta përfundojnë me mjete vetanake, ndërsa jashtë projektit kanë mbetur edhe pesë lagje tjera.
Ai ka njoftuar se janë duke punuar çdo ditë që punët në këtë pjesë të qytetit të fillojnë sa më shpejt.
“Tani jemi në më pak se dy muaj deri në fillimin e sezonit të ri të ngrohjes, atij 2024-2025 dhe jemi në përgatitjet finale që potencialisht problemet të cilat i kemi pasur në sezonin e kaluar t’i rregullojmë dhe të hyjmë në një sezon më të mirë se sa që ka qenë vitin që po e lëmë pas”.
“Prej fillimit të mandatit tonë, tash afërsisht dy vite prioriteti kryesor për ne ka qenë kyçja në sistem e banesave të Bardha në Prishtinë, pra lagjja e cila që nga pas lufta ka mbetur si e tillë. Siç e dini edhe qytetarët janë të njoftuar në atë pjesë, ne i kemi bërë të gjitha analizat, të gjitha përgatitjet për të filluar një zgjerim në pjesën e banesave të Bardha, mirëpo fatkeqësisht edhe pas ndihmës nga komuna e Prishtinës dhe bllokadave të cilat i patëm në vazhdimësi ne nuk arritëm që të marrim ndihmën e Komunës së Prishtinës prej 5 milion euro fond i cili është ndarë në vitin që lamë pas. Jemi në një situatë të re në të cilën ngrohtorja me mjete vetanake po e bënë të pamundurën që të fillojë këtë vit zgjerimin e rrjetit në lagjen e Bregut të Diellit dhe kemi shpresë, po punojmë çdo ditë që kjo të fillojë sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ai.
Osmani ka thënë se tek “Banesat e Bardha” dhe në lagjen 44-katëshe janë duke bërë përpjekje që punimet të fillojnë këtë vit.
“Natyrisht na duhen edhe disa ditë kohë në zhvillim të procedurave tona të brendshme, mirëpo po e bëjmë të pamundurën që kjo të fillojë brenda këtij viti. Ka pasur zhvillime në mes të nivelit lokal edhe nivelit qendror, mirëpo fatkeqësisht ne nuk i kemi ato mjete dhe qytetarët po pësojnë prej një zgjerimi, i cili do të ishte zgjerimi jashtëzakonisht i madh ne pesë lagje të Prishtinës, me rreth 800 mijë metra katror më tepër të shtuara në sistem”.
“Ndërsa për këtë pjesën që po flas unë, zhvillimin në dy lagje në pjesën e Banesave të Bardha dhe në lagjen 44 katëshe këtu afër ‘Termokosit’, po i bëjmë përpjekjet që të fillojmë këtë vit dhe me përkushtimin tonë maksimal që sa ma shpejt që të jetë e mundur që edhe kjo pjesë të ketë ngrohje”, ka thënë ai për EO.