OVL e UÇK: Fyese që në seancën për Epopenë nuk u ftuan kategoritë e dala nga lufta

Prishtinë | 05 Mar 2026 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë shprehur zhgënjimin duke shprehur se janë thellësisht të fyer sesi në seancën e Epopesë së UÇK-së nuk ishin të ftuar, e ku theksojnë se është paradoksale të flitet për lavdinë e UÇK-së brenda sallës së Kuvendit, e jashtë saj të lihen njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre.

“Është e papranueshme dhe thellësisht fyese që në një seancë solemne të Kuvendi i Republikës së Kosovës kushtuar Epopesë së UÇK-së, të mos ftohen fare përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta. Pikërisht ata burra e gra që me pushkë në dorë ngritën dhe mbrojtën idealin e lirisë, ata që sakrifikuan gjithçka për këtë shtet, sot u lanë jashtë një ceremonie që i kushtohet historisë dhe sakrificës së tyre. Kjo nuk është vetëm një neglizhencë institucionale, por një shpërfillje e drejtpërdrejtë ndaj luftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe gjithë atyre që bartën mbi supe barrën e luftës për liri.Është paradoksale që të flitet për lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë saj të lihen pikërisht njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre. Kategoritë e dala nga lufta nuk kërkojnë privilegje, por respektin institucional që u takon. Historia e luftës çlirimtare nuk mund të kujtohet duke përjashtuar ata që e bënë atë histori”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK’së.

Të ngjashme