Clippers fiton derbin e Los Angelesit me Lakers, duke i shkaktuar kësaj të fundit humbjen e dytë radhazi.
118-107 ishte rezultati i kësaj sfide për Clippers, që duket se përfitoi edhe nga mungesa e LeBron Jamesit në radhët e rivalëve të qytetit. Të dyja skuadrat e ndjenë peshën e kësaj sfide dhe kjo jo vetëm për rivalitetin mes tyre, por edhe për bilancin e ngjashëm, që pas kësaj ndeshjeje shkoi 21 fitore e 14 humbje për Clippers e 20 fitore e 16 humbje për Lakers.
Sa i përket sfidës, protagonisti absolut i mbrëmjes u bë Lou Williams, autor i 36 pikëve, ndërkohë që mjaft mirë bëri edhe Gallinari me 19 pikë e 10 topa në tabelë në 35 minuta lojë. Te Lakers, Kuzma ishte shënuesi më i mirë në parket me 24 pikë.
Befasia e madhe e mbrëmjes së radhës në NBA vjen nga Florida, ku Orlando mundi skuadrën kryesuese të Konferencës së Lindjes, Toronto Raptors me rezultatin 116-87. Skuadra e Magic u shfaq e papërmbajtshme në parket në këtë përballje me kanadezët, gjë që e tregon diferenca prej 29 pikësh në rezultatin përfundimtar. Njeriu i ndeshjes për Orlandon u bë Nikola Vuçeviq, i cili e mbylli takimin me 30 pikë e 20 topa në tabelë, ndërkohë që mjaft mirë bënë edhe Isaac me 14 pikë dhe Augustin me 17. Te Toronto, të vetmit që e kalojnë klasën janë Leonard me 21 pikë dhe Ibaka me 17.
Ndërsa në Florida ndodhi befasia e madhe, në Luizianë u zhvillua sfida më interesante: ajo mes New Orleans dhe Dallas, me skuadrën e Pelicans që mori më të mirën kundrejt teksanëve duke i mundur 114-112. Ishte kjo një ndeshje ku brenda saj përmbante minisfidën mes Luka Donçiq, i cili shënoi 34 pikë dhe Anthony Davis, i cili regjistroi një bilanc fantastik me 48 pikë e 17 topa në tabelë. Te New Orleans mjaft mirë u paraqitën edhe Holiday me 18 pikë e Randle me 22 pikë e 12 topa në tabelë. Ndërsa te Mavericks u dallua edhe Barnes me 21 pikë personale.