Pa opozitën, Kryesia vendos seancë më 5 maj

Prishtinë | 29 Pri 2022 | 12:32 | Nga Leonora Kolukaj

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që më datë 5 maj të mbahet seanca e radhës. Kjo mbledhje e Kryesisë është mbajtur pa partitë opozitare, raporton Ekonomia Online.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë pas mbledhjes se është vendosur që seanca e re të mbahet më 5 maj, në ora 10:00.

“U mbajt mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit në të cilën u vendos që seanca e re plenare të mbahet me 5 maj në ora 10:00. Në agjendën e seancës së re plenare përveç  pikave zakonshme do të kemi edhe votimin për dy kandidatë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese etj.”.

Përfaqësuesit e opozitës nuk po marrin pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që ka nisur të mbahet të enjten.

Në këtë mbledhje janë paraparë 8 pika të rendit të ditës. Në rend të ditës janë pikat e papërfunduara nga disa seanca plenare si dhe përgatitjet për seancë plenare të re të radhës.

Opozita po vazhdon t’i bojkotojë punët e Kuvendit për shkak të bllokimit për themelimin e komisionit hetimor për energjinë, të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Gjithashtu në seancën e radhës do të mbahet edhe debati parlamentar për punën e një vjeçare të Qeverisë Kurti.

Kusari-Lila ka thënë se seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet me 5 maj me disa pika të rendit të ditës e ku ajo ka thënë se ka kërkuar që themelimi i komisionit me kërkesë të VV’së të shtyhet në një seancë tjetër.

“Si dhe debatin parlamentar për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në mandatin e parë të saj. U shqyrtua edhe kërkesa e nënshkruar nga 41 deputetët e LVV për formimin  e komisionit hetimor për vendimmarrje në sektorin e energjisë, kërkesë të cikën unë kërkova që shqyrtimin e saj ta shtyjmë për një seancë tjetër më të cilën shpresojmë që të kemi dakordancë edhe me opozitën.  Duke ditur se kjo është tema që opozitën e ka bërë që të mos jetë prezent në mbledhjen kryesinë e kuvendit e rrjedhimisht edhe në komisione apo në seancën plenare”, tha ajo.

Në këtë konferencë Kusari-Lila ka thënë se nuk mund ta konfirmojë nëse ky bojkot i opozitës vjen për shkak të Komisionit Hetimor për energjinë.

Të ngjashme