Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë që ekziston mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sërish, edhe pse sipas tij, kjo gjë do të ishte e panevojshme.
“Votat janë të qarta, Lëvizja Vetëvendosje del me gati 50 % të votave të përgjithshme, por VV-ja e ka kaluar në një masë të madhe 50 përqindëshin e votave shqiptare. Nuk mendoj që partitë e tjera politike, ato që i kanë humbur zgjedhjet, do të duhej të merreshin më me ketë çështje”.
Paçarizi në Rubikon në Klan Kosova, tha që kur është puna te qeveria nuk ka dyshime, por çështja e presidentit duhet të diskutohet.
“VV-ja është fituese dhe duhet ta bëjë qeverinë e re pa koalicion me partitë tjera, të cilat nuk kanë shfaqur ambicie për të qenë pjesë e qeverisë, përveq AAK-së që e ka synimin për presidentin. Kur është puna te qeveria nuk ka asnjë dyshim, por kur është puna te presidenti ka nevojë për diskutim”.
“Partitë politike duhet të tregojnë konstruktivitetin e tyre qoftë këto të opozitës, qoftë Kurti si fitues absolut i zgjedhjeve. Partitë politike nuk kanë zgjidhj tjetër, pasi do ndëshkoheshin edhe më shumë nëse do ta pengonin procesin e zgjedhjes së presidentit”.
Paçarizi thotë që e sheh si problem arrogancën që sipas tij po e shfaq Kurti kohëve të fundit.
“Albin Kurti si fitues absolut i zgjedhjeve, duhet të jetë më pak arrogant seç ka qenë ditët e fundit, pasi mesazhet që i ka përçuar më kanë lënë përshtypjen sikur do të provokojë me qëllim një krizë te çështja e presidentit; qoftë për t’u tërhequr dhe shmangur nga telashet të cilat i kanë rënë në qafë, të cilat janë akumuluar në Kosovë si çështja e dialogut, çështja e ambasadës në Izrael dhe presioni prej Turqisë”.
“Fakti që ai këmbëngul që presidente do të jetë Vjosa Osmani, mendoj që në një anë është veprim i duhur, pasi ka nënshkruar marrëveshje me të për këtë post, por nën anën tjetër një diskurs më i butë me partitë tjera që do të mund të kenë pretendime eventuale, do të ishte më relaksues dhe do ta siguronte masën e nevojshme prej 80 deputetësh. Edhe pse nuk besoj që parttitë që i kanë humbur zgjedhjet nuk e kanë guximin për t’i hyrë një aventure të tillë, për të penguar zgjedhjen e Osmanit për presidente të vendit”, theksoi ai.