Znj. Ministre, çliroji mësuesit – ata nuk ndihen mirë si trup elektoral

Prishtinë | 04 Shk 2020 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

E dashur ministre e arsimit znj. Bajrami

Ky tekst, në kohën kur u shkrua (në shtator 2017) e kishte titullin “I dashur minister i arsimit, cilido që je”, meqë asokohe ende nuk dihej se cili do të ishte ministri i arsimit. Fatmirësisht tani e dimë kush është ministri. Mua më vjen mirë që jeni Ju, për sëpaku tri arsye: 1. Jeni mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës; 2. Keni përvojë të menaxhimit të së paku një ministrie; 3. Mbaj mend kohën kur kam raportuar në emër të Bordit të RTK-së, te Ju kam gjetur kritikuesen e ashpër, por profesioniste dhe të paanshme.

Tani, me lejoni, t’jua përsëris letrën (me ca ndryshime referencash), të cilën ministri i shkuar mund të mos e ketë lexuar fare:

Besoj që në momentin që e ke pranuar postin e ministrit, e di se në ç’gjendje është arsimi në Republikën e Kosovës. E di që ke ekspertizë në këtë fushë, por kjo s’ka shumë rëndësi në një qeveri ku postet duket të jenë krejt politike. Tekefundit, edhe disa nga paraardhësit tu kanë qenë me ekspertizë të mjaftueshme dhe profesorë universiteti, por ja që gjendja është kjo. Në një situatë të tillë, shpresoj që të jesh e fuqishme dhe të mos lejosh që rreth vetes të kesh informatorë të kryetarit të partisë sate, të shefit tënd zyrtar ose jozyrtar – kjo i ka fundosur ministrat e deritashëm të arsimit.

E dashur ministre,

Suksesi yt varet nga dashuria që ke për arsimin. Suksesi yt varet nga guximi yt. Suksesi yt varet nga vendosmëria jote. Suksesi yt varet nga ekipi që do ta kesh rreth vetes (përjashto zëvendësministrin që mund të jetë pjesë e pazarit për qeverinë). Duhet ta duash arsimin dhe t’i kesh fëmijët duke u shkolluar në Kosovë dhe gjithçka ta masësh me brengën tënde prindore (standardi i dashurisë ndaj atdheut tashmë është shndërruar në një idealizëm të rrallë për të cilin të përqeshin). Duhet të kesh guxim për të ndërmarrë veprime, të cilat mund t’i humbin vota partisë sate, por është çmim që do paguar. Mund të të mos zgjedhin kurrë më ministre, por më mirë një herë ministre e mirë, sesa ministre e recikluar dhjetëra herë. Shpërbërja e mbeturinave në sistemin e arsimit zgjat me shekuj, zonja ministre, ndaj kujdesuni që të mos na ndotet edhe më ky ambient. Vendosmëria jote është vendimtare për suksesin. Është vrapim në shtigje të gjata që kërkon mund, por gjithashtu është vrapim me pengesa e ato janë të shumta – militantët e partisë që duhet t’i punësosh e nuk duhet t’i punësosh; sindikatat që kujdesen për mirëqenien e mësimdhënësve e ti duhet të kujdesesh për cilësinë përpara mirëqenies së tyre dhe vota e partisë do të të sillen si gogolë kahdo që sillesh, pasi secili veprim yti idealist do t’i humbë vota partisë. Duhet të heqësh dorë nga mirënjohja ndaj partisë që të solli në këtë post, zonja ministre, pasi në dorën tënde janë rreth 300 mijë nxënës e studentë që ta kanë nevojën, pa çka se shumica dërrmuese e tyre janë fëmijë të prindërve që nuk të kanë votuar. Dhe, në fund, zonja ministre, suksesi yt varet nga ekipi yt, nga njerëzit që do të kesh rreth vetes. Qofsh a jo ekspert i arsimit (unë e që je) njerëzit rreth vetes merri njohës të fushës, njerëz që janë pjesë e arsimit, njerëz me dije e integritet që t’i trembin e largojnë militantët e partive, pasi vetëm ashtu mund të punosh. Sigurisht që këto ditë publikisht e jopublikisht do të të shkruajnë plot njerëz për të të dhanë “ekspertizën” e tyre. Harroji ata emra (edhe timin sigurisht) dhe merri idetë që t’i japin.

E dashur minister Bajrami,

Shkolla fillore në Kosovë e ka tashmë damkën e PISA-s. Pararendësi yt nuk i mori këshillat dhe gjendja e PISA-s vetëm sa u përkeqësua. Me llum partiak nuk fshihet ajo njollë. Më beso kur të them se as me floskula patriotike si abeterja e përbashkët, s’do të bësh gjë (nuk po them se Abetarja ka faj). E vërteta është se rezultatet e PISA-s nuk përmirësohen brenda një viti, por reforma e ka një afat fillimi dhe pastaj është e përhershme. Mësuesit janë konsideruar deri më tash trup elektoral. Të lutëm, mos i shih të tillë. Çliroji!

Shkolla e mesme është gati-gati hajgarellëk, ndërsa universiteti është vetëm gjithëpërfshirës. Universiteti si gjithëpërfshirje i konvenon politikës, por nuk është cilësor. Kosova që ka telashe ta ketë një UP-në cilësore, vështirë se mund të ketë kuadro të mjaftueshme (jo aso emergjente, se të tillë ka sa të duash) për t’i mbajtur shtatë universitete publike. Universitetet jopublike e kanë pasur shansin e tyre. U duhet dhënë shansi vetëm atyre që janë cilësorë. E di që është vështirë, se janë të fuqishëm financiarisht, por duhet të futen në sistemin e cilësisë, jo vetëm të kësaj formale, por edhe substanciale. Universitetet dhe shkollat jopublike janë rregullator i rëndësishëm i fushës së arsimit, por nuk duhet të jenë vetëm biznese. Ato që janë vetëm biznese e kanë kryer misionin e tyre – të tjerat kanë kontribuuar dhe duhet të vazhdojnë të kontribuojnë. Tekefundit shkolla jopublike ekziston vetëm për shkak të cilësisë – gjithëpërfshirja është veti e shkollës publike, zakonisht.

Fatmirësisht, mund të kesh në dispozicion disa organizata joqeveritare, të cilat për arsimin tashmë kanë bërë më shumë sesa vetë institucionet e shtetit. Mirëpo, sado të kenë vullnet, kapacitetet e tyre janë të kufizuara në regjistrimin e gjendjes, por kjo për ty është e mjaftueshme. Mos i largo dhe mbaji pranë vetes. Më beso, ashtu siç të kanë besuar qytetarët që të kanë votuar tash e sa mandate, zonja Bajrami.

E di që ke punë të vështirë. Zoti të ndihmoftë, nëse nuk e do ndihmën tonë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme