Varieteti standard i shqipes – Tejdomenializimi dhe hilet

Prishtinë | 27 Nën 2022 | 22:37 | Nga Rrahman Paçarizi

Në juibile si ky – 50 vjet pas miratimit të rregullave të drejtshkrimit të shqipes, kur sentimentet e atëhershme janë venitë, qasja shkencore, bëhet e domosdoshme.

Ndonëse shoqëria shqiptare nuk ishte e përgatitur për një ndërmarrje të tillë, për shkak të rrethanave socio-politike, miratimi i rregullave të drejtshkrimit u konsideru e arritur aq e madhe sa folësi u vu në shërbim të saj, me gjithë qenien – herë për interesa nacional-identitare (në ish-Jugosllavi), e herë për interesa ideologjike (në Shqipëri).

“Gjurmë të bardha” është një film i bërë nga Kosovafilmi i Prishtinës në vitin 1980. Personazhet janë sharraxhinj e fshatarë nga fshatrat e Rugovës së Pejës. Ata synojnë me folë varietetin standard të shqipes. Nëse nuk e keni pa filmin, imagjinojeni. Në filmat e Kinostudios “Shqipëria e re” personazhet pozitive (fshatarë e punëtorë) flisnin varietetin standard, ndërsa personazhet negative (mësues e mjekë) gegërishten, vëren Vehbiu. Dhe, jo vetëm atëherë. Në variantin shqip të filmit të vizatuar “Shrek” që pati dalë më 2001, kryeheronjtë Shrek dhe princeshë Fiona flisnin varietetin standard, ndërsa personazhi negativ, mbreti Farquad flet tironçe. Oksimoroni është se gjuha e përqeshur ishte ajo e mbretit dhe e kryeqytetit. Imagjinojeni situatën kur anglishtja e mbretit a dialekti i Parisit të viheshin në këtë funksion. Në teoritë psikolinguistike ‘baby talk’-un fëmijët e përjetojnë si përqeshje dhe ndëshkim, ndërsa të rriturit besojnë se po solidarizohen me fëmijën.

Në këtë punim, versionin e shkurtë të së cilit po e lexoj këtu, kam listu disa nga problemet, sipas meje, më të rëndësishme:

– Rregullat e shumta dhe përjashtimet që vetvetiu janë rregulla;

– Tejdomenializimi i varietetit standard;

– Eliminimi i paskajores së tipit me+pjesorja;

– Shpërfillja e inovacionit përmes shkurtimit të pjesores;

– Metodologjia e hartimit të fjalorëve;

– Mungesa e gramatikës deskriptive;

Dhe, më e rëndësishmja, mungesa e vullnetit për t’i trajtu këto problematika.

Tejdomenializimi i varietetit standard

Shembulli i filmit “Gjurmë të bardha” është domethënës për tejdomenialitetin e varietetit standard. Jo se “Qortimet e vjeshtës”, ku shkodranët e flasin varietetin standard 30 vjet para Kongresit të Drejtshkrimit, është shembull më pak domethënës, por se për dallim nga Shqipëria, ku Këshilli i Ministrave i kishte dhënë udhëzimet e qarta që varieteti standard të përdorej edhe në film e teatër, në Kosovë nuk kishte një udhëzim të tillë. Këtu veprohej vullnetarisht, pasi standardi ishte karta e identitetit nacional. Natyrën identitare të gjuhës e shpjegon Rexhep Ismajli. Prandaj, shumë autorë i përkthyen në standard veprat e tyre të shkruara para ’72-shit, jo për ta zgjeru audiencën. Aparati kishte arritë me e përvetësu edhe letërsinë, edhe filmin, edhe teatrin, si mediume të përhapjes së këtij varieteti. Sociolinguistët standardin gjuhësor e shohin si konspiracion të vetëdijshëm të elitave politike që zbatoheet përmes elitave kulturore, tekefundit. Në pozita të tilla, letërsia, filmi e teatri nuk i kryenin funksionet e tyre, por e promovonin një varietet gjuhësor të kultivuar. Me këtë logjikë veprimi dhe duke pasë parasysh prestigjin e lartë të veprave artistike, folësi i pakultivuar vihet në pozita inferiore dhe më shumë i kushton kujdes formës sesa përmbajtjes. Hiperkorreksioni është i pashmangshëm, prandaj.

Eliminimi i paskajores së tipit me+pjesorja

Eliminimi i paskajores del ndër problemet kryesore që e ka pengu akceptimin e varietetit standard.

Paskajorja e tipit me+pjesore është në natyrën e shqipes, apo të paktën në natyrën e njërit prej dy dialekteve të mëdha të shqipes. Paskajorja, abstrahon vetat, prandaj është e rëndësishme, pragmatike dhe ekonomike për gjuhën.

Në përpjekjen për ta eliminu paskajoren gege, janë bë edhe hile – forma “do me thënë” shkruhet bashkë vetëm për t’i humbë gjurmët e paskajores. Pastaj, dikush u kujdes që të ketë edhe një shkurtesë të vështirë për t’u shkru ‘d.m.th.’, por jo edhe ‘d.t.th.’. Po kështu, paskajorja vërehet edhe në lokucione lidhëzore si “meqenëse”, prapë e shkruar bashkë. Në këto formime paskajorja gege është e konsoliduar edhe në toskërishten.

Mehmet Elezi vëren se paskajorja del edhe te Konica jugor, te Mihal Grameno e te disa këngë beratase e korçare.

Pra, paskajorja do të mund të zinte vend në strukturën e varietetit standard të shqipes, pa e pasë rreziku sistemin foljor të saj.

Eliminimi i paskajores, kështu, e ka privu edhe toskërishten nga përdorimi i saj, ndonëse përpak sa s’qe legjitimu në normë, e përdorur në një rast nga Enver Hoxha.

Në tjetër anë, ekzistenca e paskajores mohore e dëshmon pamundësinë e heqjes së trajtës bazë. Kjo do me thënë se nuk mund të ketë mohore pezull, pa e pasë një trajtë të cilën e mohon, së cilës i kundërvihet, me të cilën ndërton çiftin, strukturalisht.

Folësi i gegërishtes, duke e pasë paskajoren në mentalitetin e tij/saj gjuhësor, vështirë se ka me funksionu lirshëm pa të. Zëvendësimi çon drejt kurthesh (a)gramatikaliteti. Më gjerësisht gramatikalitetin dhe ideologjinë e gabimit gjuhësor e ka trajtu Bardh Rugova te “idologjia e gabimit gjuhësor”.

80 respondentë, nxënës klasash të larta të shkollës së mesme janë lutur ta kthejnë në standard moton e një fushate:“Për me u dobësu nuk është mirë më mbajtë dietë, por është mirë me vrapu”

80 subjekte nga të cilat është kërku që ta kthejnë në shqipen standarde, kanë dhënë përgjigje të ndryshme. 24 subjekte referencën vetore të lidhores e e kanë përqendru te veta e dytë njëjës e lidhores; 12 subjekte kanë përdorë vetën e dytë shumës të lidhores; 13 subjekte referencën vetore e kanë përqendru te veta e parë shumës e lidhore, 6 subjekte të tjera, në pjesën e parë kanë përdorë referencë vetore të vetës së parë shumës, ndërkaq në pjesën e dytë kanë përdorë paskajoren hibride. Vetëm 4 nga subjektet kanë përdorë trajta joveprore. Kujdes: joveprore për veprimin; 2 subjekte kanë përdorë mënyrën urdhërore, ndërsa 3 subjekte i kanë zëvendësu foljet me emra.

Rregullat e shumta dhe përjashtimet që vetvetiu janë rregulla

Sipas rregullave të drejtshkrimit, folësi i shqipes duhet ta mësojë përmendësh se shumësi i fjalës ‘mollë’ bën ‘mollë’ e shumësi i fjalës ‘dardhë’ bën ‘dardha’ – ky folës duhet të tregojë se ka ble mollë e dardha. Folësi duhet ta dijë se kur përdoret vit e kur vjet, për ta shkru vit/vite, fjalës iu prapavëka një përcaktor me kusht që t’i paraprijë një ndajfolje sasie a numëror, etj etj.

Kështu, u përmbys rendi funksional i gjuhës: në vend se gjuha më qenë në shërbim të folësve, folësit u vunë në shërbim të gjuhës.

Pjesorja e shkurtuar – modeli i foljeve apofonike me temë më l, ll, rr

Pjesorja është një trajtë foljore fort e rëndësishme pasi është stemi për ndërtimin e kohëve të përbëra të foljeve: kam punuar, kam dalë, kisha punuar, kisha dalë, pata punuar, pata dalë. Mospranimi i pjesores së shkurtuar si element inovativ në shqipen ka qenë dhe mbetet vendim kundër rrjedhës së zhvillimit të natyrshm të gjuhës. Modeli i foljeve apofonike me mbaresë të temës më l, ll, rr mund t’i shërbejë shqipes për ta pranu inovacionin e shkurtimit të pjesores. Folësi mesatar nuk arrin, nuk do, apo nuk ka nevojë ta përfillë këtë rregull. Rrjedhimisht, pjesorja ose shkurtohet përgjithësisht ose ka një hiperkorreksion enorm. Në televizionet e Kosovës janë të rregullta e të përditshme përdorimet hiperkorrektive si “përcjellur, dalur, marrur”. Po flasim për folje që përdoren përditë e gjithë ditën, e lëre kur e analizojmë përdorimin e foljeve vjelë, mjelë, mbjellë, ndjellë, që janë specifike për domenin.

Nga 80 nxënës të shkollës së mesme të lartë në Prishtinë e Gjakovë, asnjë nuk e ka ditë rregullën e drejtshkrimit për foljet apofonike që dalin me mbaresë të temës më l, ll, rr.

Në televizionet e Shqipërisë, tash kur pjesëmarrësit nuk kontrollohen ideologjikisht, ka vërshim përdorimi të pjesores së shkurtuar. E ndoqa një show televiziv “Më lër të flas” në Top Channel. Me siguri që përzgjedhja do të kontestohet mbi ndonjë observim të papjekur akademik, por po flasim për gjuhën në përdorim (deskriptivizmin) e jo për gjuhën se si u dashka të jetë (preskriptivizmin). Në vetëm pak minuta të këtij emisioni, moderatorët dhe mysafirët përdorën të paktën 20 herë pjesoren e shkurtuar.

Metodologjia e hartimit të fjalorëve

Fjalorët e shqipes janë bë në atë mënyrë që e stigmatizojnë gjuhën e natyrshme, duke u vënë fjalëve të caktuara atribute si ‘krahinarizëm’, ‘lokalizëm’, ‘fjalë dialektore’ etj., me çka fjalët e shqipes i vënë në garë të pabarabartë përdorimi, duke e latentizu një fond të tërë leksikor të shqipes, thu se dialektet e shqipes nuk janë të shqipes. Shqiptarët hezitojnë me përdorë foljen kqyrë, ndonëse shkalla e intencionalitetit të kryerjes së veprimit dallon shumë nga foljet e së njëjtës tufë semantike ‘shoh’ e ‘shikoj’. Folësit hezitojnë me e përdorë foljen ‘mshel’ pasi nuk është fare në fjalor e kështu me radhë.

Mungesa e gramatikës deskriptive

Gjithashtu, në favor të pjesores së shkurtuar shkojnë edhe të ashtuquajturat forma të mbindërtuara të foljeve, të cilat edhe janë shpërfillë, për të mos leju krijimin e idesë për pragmaticitetin e trajtës së shkurtër të pjesores. Gramatika normative është kujdesë që folësi i shqipes të mos i përdor në shkrim kohët e mbipërbëra të foljeve: të tashmen e aktualizuar: “Po mësohem qysh me i bë numrat në shtyllë se nesër kam test; të stërshkuarën: “E kisha pasë harru krejt atë grua; të stërstërshkuarën: “Verën e kalume pata me shku n’pushime po ra ky virus e meta”; të stërtejshkuarën: “Kur kisha me bo punime rrijsha deri vonë; të tejtejshkuarën: “A e din ti që kur kam pasë punu n’Prishtinë hala 18 vjet s’i kam pasë, etj.

Përfundimet

Shqipja dhe shqiptarët nuk janë ata/ato të para 50 vjetësh. Gjatë kësaj kohe kanë ndryshu njerëzit dhe rrethanat:

  1. po ndodh komunikimi i intensiv dhe i papenguar ndërmjet folësve të shqipes me origjinë të ndryshme dialektore, në situata formale dhe joformale;
  2. ka ndodhë relativizimi i pengesave dhe orientimeve ideologjike;
  3. ka ndodhë qasja e papenguar në shkencën moderne dhe po mbizotëron deskriptivizmi;
  4. po ndodh qasja dhe prania joselektive në mediume si gazetaria e letërsia.
  5. ka mediume alternative – radio, tv, gazeta, portali, libri

Kjo do me thënë se tek tash shqipja e ka arritë fazën e pjekurisë. Rritja e komunikimit intensiv, formal dhe joformal ndërmjet shqiptarëve, do të na e japë një ide më të qartë për t’iu qasë seriozisht fazës së rishikimit të varietetit standard.

Shkenca moderne e diskuton varietetin standard mbi modelin e së natyrshmes kundrejt të së kultivuarës (nature vs. nurture). Edhe pse i kultivuar varieteti standard nuk duhet të jetë i privuar nga të drejtat që i kanë varietet e tjera gjuhësore, dialektet e të folmet. Varieteti standard ka kuptim vetëm nëse nuk kryhet me përzgjedhjen e bazës dialektore të tij (sado e kontestueshme a jo të ketë qenë ajo përzgjedhje) – standardizimi është proces e jo vendim. Shqipja standarde, vetëm sa është normu, i janë përcaktu rregullat e drejtshkrimi, por nuk nuk ka shku më tej. Më tej e kemi ndërtu kultin e shqipes standarde, madje edhe duke e quajtë me emra kultpërforcues si ‘shqipe e përbashkët’ a ‘shqipe e njësuar’, si dhe ‘shqipe letrare’ në përpjekjen koxha të suksesshme për t’ia siguru letërsinë si medium zhvillimi. As termi gjuhë e normuar nuk është i saktë, pasi norma reale është gramatikalitet e norma e propaganduar është konvencë – konvenca jo patjetër është e mbështetur në gramatikalitet.

Kjo qasje ka ndërhy për të pengu rrjedhën normale të tij si proces, duke i dalë cung m’udhë secilës përpjekje shkencore për ta bë varietetin standard të përdorshëm dhe në shërbim të folësve të të gjithë shqipes, natyrisht në domenet ku i ka hije.

(Autori është profesor i gjuhësisë në Universitetin e Prishtinës. Kjo kumtesë është lexuar në Konferencën e AShAK-ut dhe AShSh-së në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, mbajtur më 17.11.2022)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme