KOMF kërkon që fëmijët të mbahen jashtë fushatave zgjedhore pas rastit me Kurtin

Prishtinë | 01 Qer 2026 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Menaxherja e programit në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Klevis Vaqari, ka bërë thirrje që fëmijët të mbahen jashtë fushatave zgjedhore, duke komentuar përfshirjen e një fëmije në një aktivitet elektoral të kandidatit për kryeministër nga LVV-ja, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Vaqari tha se KOMF vazhdimisht reagon në rastet kur cenohen të drejtat e fëmijëve dhe u bëri thirrje partive politike, KQZ-së, familjeve dhe mediave që të tregojnë kujdes.

“Po neve jo vetëm në këtë fushatë por edhe vazhdimisht ne kemi dalë me reagime në çdo moment ku ka pasur shkelje të caktuara të drejtave të fëmijëve njëjtë sikurse edhe dje ne si KOMF kemi dalë me reagimin përkatës ku kemi bërë thirrje në radhë të parë subjekteve politike që të zbatojnë ligjin të konsiderojnë të drejtat e fëmijës dhe t’i lënë ata jashtë fushatave të tyre po ashtu Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të gjithë mandatin që e ka pra për ta zbatuar atë mandat gjithashtu familjet sepse ne i cekëm edhe gjatë hapjes së fushatës sotme që ende familja prindërit komuniteti rrethi i ngushtë komuniteti janë ende bërthama e kësaj shoqërie pra prindërit të jenë shumë të kujdesshëm për të mos lënë që fëmijët e tyre të përfshihen aty ku nuk e kanë vendin dhe po ashtu unë do të përfitoja nga rasti edhe mediat t’i ftoj që sikurse kanë ditur vazhdimisht ta bëjnë punën e tyre të monitorojnë nëse do të ketë raste të tilla edhe në vazhdim edhe t’i shpërfaqin ato”, tha ajo.

Këto deklarata Vaqari i bëri në organizimin e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Terre des hommes në Kosovë, me rastin e hapjes së fushatës “Drejtësi që sheh fëmijën”.

Ajo tha se sivjet fushata i dedikohet fëmijëve në konflikt me ligjin dhe rëndësisë së trajtimit të tyre në mënyrë dinjitoze dhe humane.

“Megjithatë kemi menduar që ë këtë ditë dhe këtë fushatë njëjavore ta dedikojmë për një grup të caktuar të fëmijëve që janë fëmijët në konflikt me ligjin. Dhe sikurse paraqitet edhe instalacioni shumë simbolik që kemi vendosur këtu në Pallatin e Drejtësisë edhe e gjithë fushata i dedikohet edhe synon të promovojë rëndësinë e madhe që ka parandalimi i rënies së fëmijëve në konflikt me ligjin por në të njëjtën kohë edhe trajtimi dinjitoz trajtimi human dhe trajtimi konform interesit parimit global universal të interesit më të mirë të fëmijës përgjatë kohës që këta fëmijë në konflikt me ligjin janë në fazën e rehabilitimit dhe riintegrimit”, tha ajo.

Vaqari tha se Kosova ka bazë solide ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, por sfidë mbetet zbatimi i saj dhe rritja e rasteve të përfshirjes së fëmijëve nën moshën 14-vjeçare në sjellje të papërshtatshme.

“Si infrastrukturë baza ligjore në përgjithësi Kosova gëzon një bazë solide ligjore megjithatë ne vazhdimisht i kemi vënë theksin në ato mangësitë në implementimin e suksesshëm të kësaj baze ligjore. Sigurisht një implementim i suksesshëm kërkon ndoshta edhe më shumë burime financiare më shumë burime njerëzore një qasje më multidisiplinare mirëpo në bazë të monitorimeve tona pak a shumë të përvitshme që ne i bëjmë si si koalicion ku dhe një ndër kapitujt është edhe drejtësia për të mitur ne kemi evidentuar se në periudhën e fundit ka pasur në fakt një rritje të këtyre fëmijëve që përfshihen në sjellje të papërshtatshme që janë nën moshën 14 vjeç dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse e kemi vënë theksin edhe në rëndësinë e madhe të parandalimit për të mos lejuar që me mbërritjen e moshës 14 vjeçare këta fëmijë të vazhdojnë të përfshihen në këto lloj sjellje sepse sipas legjislacionit me 14 vjeç fillon edhe përgjegjësia penale edhe atëherë fëmija hyn vetëm në sistemin e mëtejshëm të rehabilitimit të integrimit kështu që parandalimin ne e shohim si një aspekt kyç që numri i këtyre fëmijëve në konflikt me ligjin me përgjegjësi penale mbas moshës 14 vjeçare të jetë më i vogël dhe atëherë edhe për sistemin të jetë më e lehtë për ë të punuar në këtë drejtim me me këta fëmijë”, tha ajo.

Të ngjashme