Opinionisti Rrahman Paçarizi vlerëson se fakti që kryeministri Kurti po e quan ‘propozim të dakorduar’ marrëveshjen me Serbinë dhe insistimi që ta theksojë gatishmërinë e tij për ta nënshkruar dokumentin, do që ta krijojë përshtypjen se ka krijuar një avantazh më 27 shkurt dhe do që të luajë në atë letër të avantazhit në mënyrë që të thotë se ‘plani është i mirë, ne kemi një avantazh dhe Serbia po e refuzon sepse plani është i mirë’.
“Sepse në Kosovë kjo dhez, pra në Kosovë nëse thua që Serbia po e refuzon, i bie që plani është i keq për Serbinë dhe i mirë për ne, paçka se aty është autonomia, zajednica, eksterritorialiti për kishat, etj”, deklaroi Paçarizi në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Ai tutje shtoi pas takimit që Kurti e kishte me Lajçakun, është duke menduar se si ta prezantojë marrëveshjen, se e ka pranuar. Sipas Paçarizit, Kurti në fakt ka pranuar gjithçka deri tash dhe po e gjen një mënyrë të mirë dhe goxha të suksesshme që ta plasojë, sepse siç tha, s’ka dhe opozitë.
“Opozita po bën gabime në hapa. Po del po e kundërshton publikisht asociacionin. Unë mendoj që e ka gabim, sepse opozita po tërhiqet nga partneriteti me aleatët, me ShBA-të e BE-në, sepse janë angazhuar për asociacionin. Opozita nuk do të duhej ta kishte kundërshtuar pjesën për asociacionin, por pjesën për autonominë, sepse është avancuar pozicioni i një organizimi, i një formacioni edhe juridik në Kosovë, e ndoshta edhe territorial, se ne nuk e dimë saktë çka është duke ndodhur”, përfundoi Paçarizi.