Mbi 100 euro i është dashur pacientes R.D. që t’i harxhojë në barna dhe material shpenzues për t’iu nënshtruar lindjes me metodën e prerjes cezariane në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gjilpëra spinale, doreza sterile, gaza sterile, solucion, që i ka blerë ajo janë pjesë e Listës Esenciale, por se ato kanë munguar në këtë klinikë, dhe jo vetëm për operacionin e R.D.
Koha Ditore e ka kontaktuar drejtoreshën e Klinikës së Gjinekologjisë, Myrvete Paçarada, për të pyetur lidhur me mungesat e kësaj klinike. Sipas saj, ka tri ditë që mungon materiali shpenzues dhe barnat.
“Ne kemi kohë pas kohë mungesa në Gjinekologji dhe detyrohemi që t’u kërkojmë pacienteve që t’i blejnë vetë barnat dhe materialin shpenzues që ju duhet për lindje”, ka deklaruar Paçarada.
Ajo ka treguar se si çdo ditë i bëjnë kërkesë për furnizim Barnatores Qendrore të QKUK-së. Por, sipas saj, ndodh që edhe aty të ketë mungesë.
Çmimi për lindje me prerje cezariane në klinikat private kushton rreth 1 mijë euro, ndërsa për lindje normale rreth 500 euro.