Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ka thënë se buxheti i hartuar nga Qeveria Kurti është gjithëpërfshirës dhe synon barazinë për të gjitha grupet shoqërore.
Ajo thotë se protestat e sindikatave nuk janë të drejta dhe se nuk do të favorizojnë këto grupe që kanë më shumë zë, por të gjithë, njofton Klan Kosova.
Pacolli po thotë se pozita është duke e bërë punën e saj në debatin në Parlament për këtë çështje, por se s’është korrekte në deklarime.
“Buxheti i Kosovës është gjithëpërfshirës që ka për synim zhvillimin e vendit dhe krijimin e një shteti ku të gjithë qytetarët trajtohen në mënyrë të drejtë, ku të gjithë qytetarët kanë mirëqenie dhe kushte me të mira për jetë. Qytetarët që janë në gjendje më të rëndë janë ata të sektorit privat dhe në atë drejtim duhet të punojmë për të krijuar kushte më të mira dhe paga më të mira të sektorit privat”.
“Sa i përket protestave që organizohen nga sindikata të ndryshme duhet ta kuptojmë që nuk janë të drejta dhe reale. Ka pasë protesta të tilla kanë dhe sa herë ka pasë protesta të tilla kanë përfituar diçka. Në këtë rast shteti i Kosovës është duke menduar për të gjitha shtresat dhe duke i trajtuar ato në mënyrë të barabartë dhe në mënyrë të drejtë. Buxheti trajton në mënyrë të drejtë të gjitha grupet e qytetarëve, përfshirë këtu edhe mësuesit, mjekët, qytetarët e thjeshtë, nënat, gratë, pra të gjithë barabartë”.
Pacolli në Info Magazine ka thënë se kërkojnë që sindikatat të mos dalin të protestojnë në këtë mënyrë, sepse është e pamundur që të ndryshojmë situatën brenda pak muajve.
“Nuk do të bëjmë dallime që të trajtojmë ata që janë më të zëshëm dhe që kanë sindikata që normalisht s’i përfaqësojnë saktë edhe interesat e punëtorëve. Sindikata e Arsimit është e padrejtë se si protestojnë dhe mënyrën si e bojkotojnë mësimin dhe si e kanë bojkotuar në të kaluarën. Shteti e ka në përgjegjësi që të trajtojë në mënyrë të drejtë të gjitha grupet e qytetarëve”.