Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, takohet me homologun e tij bullgar të ngarkuar me Sigurinë dhe Rendin Publik, njëherazi ministër i mbrojtjes, Krasimir Karakachanov
Ta forcojmë bashkëpunimin dypalësh, të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, që i shërben një rajoni më të sigurt, ka thënë ministri Pacolli, i cili gjeti mbështetjen e plotë të bashkëbiseduesit të tij.
Në vijim të vizitës së tij të ngjeshur në Sofje, ministri i jashtëm dhe numri dy i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, u takua me numrin dy të qeverisë bullgare, përgjegjës i sigurisë dhe rendit publik, njëherazi ministër i mbrojtjes, Krasimir Karakachanov.
Shefi i diplomacisë kosovare u prit në ministrinë e mbrojtjes me nderime ushtarake, në një takim shumë të ngrohtë dhe miqësor midis miqsh të vjetër.
Me këtë rast, Pacolli e falënderoi bashkëbiseduesin e tij për mbështetjen bullgare që nga fillimi i shtet-formimit të Kosovës.
“Ne, e kishim zgjidhje të vetme për të siguruar ekzistencën tonë, shpalljen e pavarësisë dhe ju ishit të parët që e njohët, në një ndërmarrje të vështirë”, tha ai, duke i përcjellë shefit të dikasterit të mbrojtjes, përshëndetjet e institucioneve të Kosovës.
“Ju jeni një shtet i ri, shtet i vogël, por me histori të vjetër”, tha ministri Karakachanov, duke shtuar se “do të keni gjithnjë mbështetjen tonë”.
“Ne duhet të punojmë për zhvillimin intensiv të marrëdhënieve tona, duke shfrytëzuar korridorin 8, mjaft i rëndësishëm në rajon dhe në Europë”, tha ai.
“Unë pres nga Bullgaria, mikpritje të plotë për Kosovën në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha ministri i jashtëm Pacolli.
Në lidhje me këtë, ai i kërkoi numrit dy të qeverisë bullgare ndërmjetësim kundrejt vendeve fqinje, që nuk e kanë njohur Kosovën, ashtu si dhe mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
“Një Kosovë në Interpol, është shërbim për një rajon të sigurt”, tha ministri Pacolli, kërkesë që gjeti miratimin e plotë të bashkëbiseduesit.
Vizita e ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli, njëherazi President i Aleancës Kosova e Re, vijoi me një takim me drejtuesit e Lëvizjes për Liri dhe të Drejta (DPS), homologe e AKR-së në Bullgari, aleatë brenda Internacionales së partive liberale europiane.