Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i ka shkrua përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, për arrestimin e vazhdueshëm, siç thotë ai, të qytetarëve të Kosovës.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se i bënë thirrje BE-së që të ndërhyjë dhe të ndalojë këto ndërhyrje nga Beogradi.
Pacolli thotë se Kosova është e gatshme të marrë masa për të mbrojtur qytetarët e saj.
“Unë i kam shkruar sot, për të disatën herë, Federica Mogherinit Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme për të shprehur shqetësimin e thellë të Republikës së Kosovës për arrestimin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kundërshtim me marrëveshjen e lëvizjes së lirë dhe të drejtat e tyre themelore. Unë i bëj thirrje BE-së që të ndërhyjë dhe të ndalojë këto veprime nga Beogradi. Kosova është e gatshme të marrë masa për të reaguar dhe për të mbrojtur qytetarët e saj të të gjitha përkatësive etnike dhe fetare”, ka shkruar ai.