Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, e filloi vizitën e tij në Republikën e Maqedonisë me takimin që zhvilloi me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
Në kuadër të këtij takimi të parë zyrtarë, Ministri i Jashtëm Pacolli dhe ai maqedonas, Dimitrov, janë pajtuar në parim, që Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë të mbajnë mbledhjen në mes dy Qeverive në fillim të vitit të ardhshëm.
Takime të tilla, në mes dy Qeverive respektive do të synohet, që të mbahen dy herë në vit dhe për këtë do të fillojnë menjëherë konsultimet politike për përgatitjen e temave dhe agjendës.
Të dy kryediplomatët janë dakorduar, që të ketë marrëdhënie edhe më të afërta, jo-formale me kontakte të rregullta ditore dhe që Kosova dhe Maqedonia të mbështesim njëra tjetrën në nivelin rajonal, rrugën drejt integrimeve evro-atlantike si dhe në nivelin ndërkombëtarë.
Kishte një dakordim të plotë dhe zotim të përbashkët nga të dyja palët në synimin për arritjen e marrëveshjeve të reja nga rreth nëntëmbëdhjetë sosh, sa tashmë ekzistojnë në mes dy vendeve dhe që synojnë thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimin tregtar dhe edhe nismave të përbashkëta rajonale.
Veç kësaj, propozimet e reja nga Ministri i Jashtëm Pacolli, për heqjen e pengesave të tanishme në qarkullimin e mallrave dhe krijimi i një pike të përbashkët doganore dhe terminali doganor, pastaj themelimi I një Zone të Lirë Ekonomike në mes të dyja vendeve, krijimi i një Holdingu të Përbashkët për hekurudhat, transmisionin e energjisë dhe infrastrukturën, janë mirëpritur nga pala maqedonase, duke shprehur gatishmëri për diskutime të mëtutjeshme dhe koordinimet e nevojshme me ministritë e linjës.
Në margjina të takimit Ministri i Jashtëm Pacolli ka përshëndetur bashkëpunimin dhe qasjen, që Qeveria e re e Maqedonisë ka vendosur me përfaqësuesit politik të komunitetit shqiptarë në Maqedoni, duke i dhënë një frymë të re relaksimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve në mes komuniteteve shumë-etnike, që bashkëjetojnë në shtetin e Maqedonisë.
Në vazhdim të takimit është diskutuar edhe mbi dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e gjetjes së një zgjidhjeje në lidhje me kontestin e emrit në raportet e Maqedonisë me Greqinë dhe të dy shefat e diplomacisë kanë shprehur angazhimin dhe vullnetin për arritjen e marrëveshjeve që do të kishin ndikim pozitiv në rajon, duke theksuar që vitit 2018 do të duhej të ishte vit Evropian i Ballkanit Perëndimor.