Të mërkurën Parlamenti Evropian i ka dhënë dritën e gjelbër dy marrëveshjeve që do të lehtësojnë procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Bjellorusisë.
Një vendim të tillë e kanë përkrahur 634 deputetë të Parlamentit Evropian, derisa 48 kanë votuar kundër dhe 4 kanë abstenuar të cilët kanë votuar përmes postës elektronike.
Marrëveshjet e aprovuara nga Parlamenti Evropian do të shkojnë në Këshillin Evropian që pritet t’i ratifikojë ato derisa pritet të hyjnë në fuqi në korrik.
Ndaj një zhvillimi të tillë ka reaguar i irrituar ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se dëshiron të di se çfarë kanë për të thënë tani shefja e Zyrës së BE’së, Natalya Apostolova dhe ambasadori gjerman, Christian Heldt.
Ish-krye diplomati ka thënë se përgëzon BE’në për kurajën që ka gjetur për t’ia lehtësuar Bjellorusisë procesin e marrjes së liberalizimit të vizave dhe për t’i lënë qytetarët e Kosovës të vetmit të privuar nga lëvizja e lirë.
“Përgëzime për Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare që kanë gjetur kurajën për të lëvizur përpara me lehtësimin e vizave për Bjellorusinë dhe që vazhdojnë të mbajnë Kosovën si vendin e vetëm të izoluar pa pasur mundësi të lëvizjes së lirë. Dëshiroj të shoh se çfarë Natalya Apostolova dhe Christian Heldt do të thonë tani”, ka shkruar Pacolli në twitter.
Republika e Kosovës ka plotësuar zyrtarisht të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Megjithatë çështja tashmë është në dorën e shteteve anëtare. Gjermania përkrah fuqishëm liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa Franca dhe disa shtete tjera janë skeptike dhe kërkojnë përmirësim të performancës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.