Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e AKR-së, Selim Pacolli ka prezantuar sot projektet për kampusin universitar.
Projekti i zhvendosjes së kampusit universitar, ndërtimi një qendre për media, stadiumi të qytetit, qendrat kreative ishin disa prej projekteve siç tha Pacolli vizionare për Prishtinën, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se pika në të cilën do të vendoset kampusi universitar është pika kyçe e Prishtinës dhe nga ajo pjesë mund të shihet çdo pjesë e Prishtinës.
“Qytetarët e Prishtinës e duan një Prishtinë ndryshe nga ajo që e kemi sot e duan më të mirë e duan një fëmijë të shkolluar më mirë.
“Në programin tim fokus kam të rinjtë e Prishtinës dhe ne pretendojmë që UP të jetë në një nivel atraktiv i cili i plotëson kushtet për të gjithë studentët rajonal dhe më gjerë. Një Universitet prej 200 metra ktrorë t’ju ofronte studentëve të Prishtinës kushte më komode, me hapësira rekreative sportive universitare” tha Pacolli.
Gjithashtu ai shtoi se hapësira aktuale e UP-së pas zhvendosjes së tij do të shnërrohet në qendër të Prishtinës dhe si e tillë do të ishte një hapësirë “pa mure”, si pjesë e lirë për të gjithë.
“Komercializimi i kësaj zone është më se i nevojshëm, do të jetë një pjesë atraktive, ku një pjesë do t’ju dedikohet artistëve të Prishtinës, një pjesë është menduar për parkingje, pastaj ndërtimi i një pallati si qendër biznesi, i cili do t’u shërbente të gjithë komunitetit tonë, ndërtimi i hapërsirave rekreative sportive, klubi i pensionistëve, e shumë projekte tjera” shtoi Pacolli.
Për më tepër ai përmendi edhe projektin tjetër, ndërtimin e stadionit të Prishtinës, i cili do t’i plotësonte kriteret ndërkombëtare. Në këtë stadion sipas tij do të mundësohej realizimi i të gjitha garave kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu ai shtoi se në këtë hapësirë është menduar të zhvendoset edhe një pjesë e Fakultetit të Edukatës Fizike.
I gjithë projekti për zhvendosjen e kampusit universitar do të kushtoj 143 milionë euro dhe do të realizohet brenda dy viteve të para të mandatit katërvjeçar.