Në kuadër të debateve të Presidentit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli me bashkëqytetarë, për alternativat e zhvillimit ekonomik të cilat i ofron AKR-ja, Pacolli sot ka biseduar për këto tema me qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë, përkatësisht në Austri.
I pari i AKR-së, para një numri të madh të qytetarëve të Kosovës në Linz të Austrisë, ka folur në pika konkrete dhe është përgjigjur në pyetjet e tyre për projektet e AKR-së, në katër vitet e ardhshme.
Pacolli ka treguar për mënyrat se si mund të krijohen vendet e reja të punës, si dhe ka folur për pengesat të cilat duhet të eliminohen në mënyrë që të hapet rruga për këtë zhvillim.
Duke u bazuar në statistikat ndërkombëtare të publikuara kohëve të fundit, të cilat evidentojnë rënien drastike të investimeve të huaja në Kosovë, Presidenti i AKR-së ka thënë se ky është një paralajmërim serioz për të ardhmen e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.
“Nuk mund të ketë të rritje ekonomike pa të hyra buxhetore”, ka thënë Pacolli. Buxheti i paraparë për vitin 2017, ende nuk dihet se si do të realizohet, ka shtuar ai.
Duke folur për përvojën e tij në fushën e ekonomisë, lideri i Aleancës Kosova e Re, ka thënë se me menaxhim të mirë, Kosovës do t’i garantohen investimet e huaja përmes të cilave pastaj për çdo vit do të mund të krijohen deri në 50 mjië vende të reja pune.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, ka thënë se neglizhenca dhe mossuksesi i qeveritarëve pasqyrohet në jetën e qytetarëve. “Unë shpresoj që qytetarët kësaj radhe do të jenë të vetëdijesuar dhe do të zgjedhin alternativën më të mirë për vendin tonë. Me ngritjen e vetëdijes qytetare, fuqia e pushtetarëve bie, kjo i duhet Kosovës. Ne duhet të vetëdijesohemi”, ka shtuar Pacolli.