Selim Pacolli tashmë kandidat zyrtar i AKR-së për kryetar të Prishtinës , thotë se kandidatura e tij dallon shumë si në program ashtu edhe në koncept nga programet që iu kanë ofrua deri më tani qytetarëve të Prishtinës.
Pacolli thotë se synimet e tyre janë për një Prishtinë qytet atraktiv i modeleve evropiane, qytet ekologjik me një park më të madh në rajon, kryeqendër universitare, kulturore, kryeqendër e tolerancës fetare, do t`i kthehen vlerat e veta historike, kryeqendër inovative, qytet me infrastrukturë dhe atraksione sportive në çdo lagje etj, standarde këto që do të arrihen në një interval afatmesëm kohor.
“Do ta instalojë dhe do ta krijojë një qeverisje moderne dhe bashkëkohore për t`iu shmangur burokracive ndaj qytetarëve. Do të analizojmë me shumë kujdes dhe vëmendje të gjitha punët e deritanishme, projektet e zbatuara, në zbatim e sipër, të ngecura… se çfarë infrastrukture posedojnë, çfarë ju mungon eventualisht për tu përmirësuar për të qen më të qasshme për qytetaret. Aty ku është mirë do të vlerësohet maksimalisht, aty ku ka ngecur puna dhe zhvillimi do të intervenojmë për të ngritur cilësinë e jetesës dhe mirëqenien e qytetarëve”.
Selim Pacolli thotë se shumë gjëra e lidhin me Anamoravën, andaj i fton të gjitha familjet anamoravase që jetojnë në Prishtinë, t`i bashkëngjiten dhe ta ndihmojnë në implementimin e programit të AKR-së, për Prishtinën.
Kandidaturën për të parin e Prishtinës thotë se e ka marrë me shumë seriozitet dhe qysh nga dita e parë ka filluar të ndërtojë ekipin, programet dhe zhvillimet tjera që ai mendon se do të jenë në interes të kandidaturës së tij.
Selim Pacolli ndihet i qetë dhe pa komplekse teksa flet për agjendën e tij dhe teksa mendon të zhvillojë një fushatë me frymë evropiane. “Kandidatura ime dallon shumë nga të tjerët sepse unë nuk kam hyrë për ndonjë karrierë politike, Unë synimin kryesor e kam të ofrojë një qasje tjetër dhe të krijojë një elektorat të zgjuar që voton për kandidatët e sinqertë që synim kanë zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë e jetës në qytet e jo politikat nacionale” shprehet Selim Pacolli, transmeton rajonipress.
Pacolli thotë se nëse ka fatin të jetë i pari i Prishtinës do të arrij të instalojë një qeverisje moderne për Prishtinën. “Prishtina është qytet me qindra halle e probleme dhe intervenimi për ta kthyer në gjendje normale është shumë i nevojshëm. Prishtinës i duhet një kryetar energjik, një kryetar që takon çdo ditë qytetar, afaristë, ekspert dhe qytetar të të gjitha kategorive, me një fjalë, Prishtina ka nevojë për një menaxher, jo për një politikan! Prioriteti im kryesor vazhdon të mbetet një Prishtinë funksionale, si në transport, me infrastrukturë të zhvilluar, me ekonomi të avancuar, me një rini që nuk bredhë rrugëve, por instalohet në zyra kompjuterësh” shprehet Pacolli.
Selim Pacolli gjithashtu thotë se nuk e ka ndërmend të merret me akuza e kundër akuza. “Unë nuk do të bëhesha postë e prokurorëve e as e hetuesve. Secili duhet të japi llogari dhe përgjegjësi para ligjit për të gjitha ato gabime që mund të evidentohen gjatë qeverisjes së tyre”.
Selim Pacolli ka një porosi edhe për familjet e Anamoravës që jetojnë në Prishtinë. “Unë kam shumë lidhje familjare në Gjilan e Kamenicë dhe kam nostalgji për atë pjesë. Andaj kërkojë prej tyre që të na përkrahin në rrugëtimin tonë për ta ndërtuar një Prishtinë pa krim, pa korrupsion… dhe një Prishtinë ku secili do të vlerësohet sipas punës së tij profesionale”.