Paditësja kërkon kompensim nga komuna e Pejës që u kafshua nga qeni endacak

Prishtinë | 24 Maj 2018 | 16:54 | Nga

Gjykata Themelore në Pejë, të enjten, ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditëses, Seniha Gjeladini, avokatit Binak Cena, për caktimin e një ekspertize mjekësore, për vlerësimin e shkallës dhe natyrës së lëndimeve që pretendohet se ka pësuar paditësja nga kafshimi i qenit endacak, më 22 nëntor të vitit 2016.

Këtë aktvendim, gjyqtari i çështjes, Fatmir Baloku, e mori të enjten, në rastin ku si palë e paditur është Komuna e Pejës.

Çështja kontestuese ka të bëjë me padinë për kompensim dëmi material dhe jo material e paraqitur nga paditësja Gjeladini, ndaj Komunës së Pejës, lidhur me dëmet që pretendon se ia shkaktuar si pasojë e kafshimit nga qeni endacak, ku paditësja pretendon se ka pësuar lëndime.

Paditësja që po kërkon kompensimin e dëmit, vlera e së cilit sipas saj, do të caktohet pasi që të bëhet precizimi i padisë.

Në fillim të shqyrtimit kryesor, pas propozimit të përfaqësuesit të paditëses, avokat Binak Cena, që si provë të nxirret raporti i policisë, dhe propozimin për caktimin e ekspertit për përcaktimin e shkallës së lëndimeve si pasojë e kafshimeve të qenit, përfaqësuesja e palës së paditur, Komuna e Pejës, avokatja Afërdita Sopi-Gashi, lidhur me propozimet deklaroi se kundërshton caktimin e ekspertizës mjekësore, për faktin se ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk mund të jepet një vlerësim real.

Tutje, shtoi se e kundërshton padinë dhe kërkesëpadinë, sepse rasti i cili ka ndodhur, sikur të ishte urgjent, paditëses në të njëjtën natë kur ka ndodhur ngjarja, sipas saj, do t’iu kishin bërë të gjitha ekzaminimet mjekësore, e jo ditëve në vijim.

E autorizuara e të paditurës, lidhur me propozimin sa i përket provës së raportit policor, shtoi se do të deklarohet në seancën e radhës, për arsye se nuk kishte njohuri lidhur më përmbajtjen e kësaj shkrese.

Gjyqtari i çështjes, Fatmir Baloku, mori aktvendim që përfaqësuesi i paditësit, avokati Cena, t’i dorëzojë provat nga seanca e sotme, në afat prej tre ditësh palës së paditur.

Po ashtu, për caktimin e mjekut për vlerësimin e lëndimeve, u caktuar Dr. Fazli Shala.

Të ngjashme