Pajisjet për vesh do të jenë në gjendje ta monitorojnë trurin tonë

Prishtinë | 26 Maj 2019 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Pajisjet personale të njohura si “pajisjet e bartshme dëgjuese”, të cilat komunikojnë me sinjalet nervore që kalojnë nëpër veshët tanë për të monitoruar dhe bashkëvepruar me trurin tonë, janë duke u zhvilluar.

Pajisjet e bartshme dëgjuese mund të na ndihmojnë të përqendrohemi në biseda të caktuara, ashtu si aparatet e mençura të dëgjimit, ose ta monitorojnë aktivitetin tonë të trurit për të trajtuar tinitusin. Kjo sipas Poppy Crum, neuroshkencëtares të Universitetit të Stanfordit dhe shkencëtares kryesore në Dolby Laboratories që e shpiku terminin, e cila kohët e fundit ka shkruar për konceptin në IEEE Spectrum, shkruan sot Koha Ditore.

Teknika në zhvillim synon t’i eliminojë dallimet në mes të inteligjencës artificiale dhe asaj biologjike, argumenton Crum – duke i përforcuar proceset tona të mendimit dhe bashkëpunimit me trurin tonë.

Plug And Play

Pajisjet e tjera të bartshme, si Google Glass, u kritikuan për faktin se ishin të papërshtatshme dhe potencialisht të frikshme. Por një pajisje e bartshme dëgjuese mund t’i ndihmojë njerëzit t’i izolojnë bisedat specifike ose ta monitorojnë shëndetin nervor pa qenë vazhdimisht temë bisede për kalimtarët kuriozë.

Dhe veshi është zgjedhja logjike për një lidhje të tillë me trurin, argumenton Crum. “Veshi është si një ekuivalent biologjik i një porti USB,” shkruan Crum. “Ai është i pashembullt jo vetëm si një pikë për ‘shkrim’ në tru, ashtu siç ndodh kur kufjet tona i transmetojnë tingujt e muzikës sonë të preferuar, por edhe për ‘leximin’ prej trurit.”

Tingulli rrethues

Bazuar në ecurinë e ekipeve të ndryshme në mbarë botën, Crum argumenton se teknologjia për këto pajisje të bartshme ndërfaqeje tru-kompjuter mund të zhvillohet brenda pesë vjetësh.

“Kur ta zhvillojmë, pajisjet e bartshme dëgjuese do të vlerësojnë vazhdimisht dhe në heshtje dhe do t’i parashikojnë nevojat dhe gjendjen e mendjes duke na ndihmuar ta përballojmë botën rreth nesh”, shkruan Crum. “Ata do të jenë partnerët tanë të vërtetë jetësorë”.

Të ngjashme