Pajtimi ndëretnik peng i së vërtetës

Prishtinë | 11 Jan 2018 | 17:52 | Nga

Përgatitjet për themelimin e Komisionit për zbardhjen e të vërtetës dhe për pajtim, idenë për të cilin e kishte dhënë rreth 1 vjet më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, janë duke vazhduar, konfirmojnë nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

Në fund të vitit të kaluar, është themeluar Ekipi përgatitor për themelimin e këtij komisioni.

Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se themelimi i Komisionit për zbardhjen e të vërtetës dhe për pajtim, synon promovimin e dialogut të brendshëm ndërmjet grupeve etnike në Kosovë, zbardhjen e fakteve për ato që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës, sidomos duke u nisur nga përjetimet e viktimave.

“Themelimi i një komisioni të tillë është parë si një proces shumë kërkues, jo i lehtëdhe nga i cili, në fakt, përcaktohet në një mënyrë edhe suksesi i vet Komisionit. Duke u nisur nga përvojat nga e tërë bota, është vendosur që njëherë të themelohet një Ekip përgatitor, në të cilin janë të përfaqësuara institucionet shtetërore të Kosovës, shoqëria civile dhe agjencitë e ndryshme, të cilat pastaj do të punojnë që brenda një afati prej 6 deri 12 muajsh, të themelojnë Komisionin për të vërtetën dhe pajtim”, theksoi Arifaj.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile e kanë vlerësuar idenë për themelimin e Komisionit për zbardhjen e të vërtetës dhe për pajtim, si shumë serioze.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë për Radion Evropa e lirë se zbardhja e të vërtetës është parakusht për pajtimin e palëve, të cilat kanë qenë në konflikt.

“Komisionet e së vërtetës janë mekanizma, të cilët janë zbatuar në shumë vende të botës, pas një konflikti. Palët, të themi, të armiqësuara në atë konflikt, pas përfundimit të konfliktit duhet t’i përafrojnë qëndrimet e veta dhe në mënyrën më të mirë të mundshme kjo bëhet nëse të dy palët e pranojnë të vërtetën, i pranojnë faktet që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës apo të konfliktit. Pastaj, pajtimi është një proces që është shumë më i gjatë, është një proces shoqëror dhe i cili mund të zgjasë me dekada. Pra, theksi duhet të vendoset tek e vërteta”, u shpreh Blakaj.

Themelimin e Komisionit për zbardhjen e të vërtetës dhe për pajtim e sheh më se të nevojshëm edhe Nenad Maksimoviq, drejtor i Qendrës për paqe dhe tolerancë, i cili është pjesë i Ekipit përgatitorë për themelimin e këtij komisioni. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh mendimin se nevoja për një komision të tillë, vjen pikërisht për shkak të narracioneve të konfliktit, të cilat u prezantohen të dyja palëve në konflikt. Siç thotë ai, sipas hulumtimeve të opinionit, del se mbi 80 për qind e respondentëve shqiptarë të Kosovës, konsiderojnë se nuk janë bërë kurrfarë krimesh ndaj komuniteteve të tjera, gjatë luftës së armatosur në Kosovë. Gjithashtu, rreth 40 për qind e respondentëve serbë të Kosovës, konsiderojnë se nuk janë bërë krime ndaj shqiptarëve.

“Kjo qartë e tregon një autizëm të të gjithë përfaqësuesve politik, të medieve dhe të vet njerëzve lidhur me problematikën e trashëgimisë së konfliktit të armatosur të së kaluarës, si dhe mundësive se gjërat e këqija u kanë ndodhur edhe të tjerëve. Së pari, është e rëndësishme që për shkak të të kuptuarit më të mirë të së kaluarës, duhet të formohet Komisioni, i cili në mënyrë objektive, neutrale, profesional dhe në mënyrë të qartë dhe faktike, do të punonte për zbardhjen e ngjarjeve nga e kaluara”, tha Maksimoviq.

Ai ka shtruar se kjo do të ndihmonte për pajtimin dhe për mirëkuptimin e pozitës së të gjithë njerëzve në të kaluarën në Kosovë, por edhe në të tanishmen.

Në anën tjetër, Blakaj thekson që është tepër optimiste të pritet që një komision i tillë, i cili vepron vetëm në Kosovë dhe që nuk ka mandat jashtë Kosovës për të kërkuar nga institucionet e ndryshme që t’i dorëzojnë arkivat e veta, që mund të arrijë deri te e vërteta e plotë.

“Njëra ndër sfidat dhe që duhet të merret parasysh edhe nga ky ekipi i ekspertëve, ekipi përgatitor që është themeluar, është se si mund të kenë qasje për të gjitha viktimat. Fundja, kur të hartohet raporti përfundimtar, i cili do të duhej t’i nxjerrë gjetjet mbi ngjarjet që kanë ndodhur gjatë luftës, pra të vërtetën, a do të jetë i pranuar edhe jashtë kufijve të Kosovës apo jo? Nëse nuk pranohet jashtë kufijve të Kosovës, në këtë rast në Serbi, atëherë, kam frikë se nuk mund të kontribuojë për pajtimin në të ardhmen”, theksoi Blakaj.

Por, Maksimoviq, shpreh mendimin se nëse Komisioni do ta ruante integritetin e tij, rezultatet a arritura në fund, do të duhej të ishin të pranueshme për të gjithë, përfshirë edhe Beogradin zyrtar.

“Konsideroj që në rast se ky Komision punon vërtetë në një mënyrë profesionale dhe të paanshme, mendoj që është e rëndësishme që të dyja palët e interesuara t’i pranojnë gjetjet e Komisionit, të pranojnë gjendjen faktike e cila nuk do të kontestohet. Megjithatë, kjo varet nga rezultatet e punës së vet komisionit. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të gjithë individët që do të kyçen në punën e Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin, të jenë persona me integritet”, tha Maksimoviq.

Në anën tjetër, përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, e kanë pranuar se pavarësisht se janë pjesë e këtyre institucioneve, nuk kanë marrë dhe nuk do të marrin asnjë vendim të rëndësishëm pa konsultime me Beogradin zyrtarë.

Megjithatë, sipas Arifajt, kjo situatë nuk mund ta pengojë ose ndikojë në punën e Komisionit dhe arritjen e rezultateve të dëshiruara.

“Konstelacionet në Kosovë nuk e pengojnë një debat të tillë. Përkundrazi, është një atmosferë e cila e mundëson një debat të tillë, që e kërkon, në fakt, e bën të domosdoshëm një debat të tillë, sepse pa u mbyllur mirë kapitulli i të së kaluarës, i të shkuarës, i luftës, nuk mundemi ta hapim kapitullin e të ardhmes, në paqe dhe në pajtim”, konsideron Arifaj.

Sidoqoftë, ideja e themelimit të Komisionit për zbardhjen e të vërtetës dhe për pajtim, fillimisht është parë me mjaft dilema në mesin e dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarë dhe serbë. Megjithatë, asociacionet dhe shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë, nga të dyja komunitetet, shqiptarë dhe serbë, kanë shprehur mendimin se pa zbardhjen e së vërtetës në të kaluarën, nuk do të mund të shikohet kah e ardhmja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme