Ministrat e mbrojtjes së NATO-s do të diskutojnë më 18 shkurt për misionet e aleancës në Afganistan dhe Irak. Ata pritet të shqyrtojnë vendimin nëse do të tërheqin forcat ndërkombëtare nga Afganistani në fund të prillit, pavarësisht rritjes së nivelit të dhunës.
Takimi dy-ditor u ministrave u hap më 17 shkurt dhe është diskutimi i parë i një niveli të lartë që kur presidenti amerikan, Joe Biden, mori detyrën në janar.
Administrata e mëparshme amerikane e ish-presidentit, Donald Trump, kishte arritur marrëveshje me talibanët në mënyrë që të mundësohet tërheqja e trupave të huaja nga Afganistani. Por, administrata e Bidenit ka thënë se është duke rishikuar marrëveshjen, për të parë nëse grupi militant po përmbush angazhimet e tij, përfshirë arritjen e një armëpushimi dhe përfshirjen në negociata me qeverinë afgane.
Sipas marrëveshjes, talibanët ishin pajtuar të japin garanci të sigurisë dhe ndërprerjen e lidhjeve me me Al-Kaidën si dhe të zhvillojnë negociata me qeverinë afganë në mënyrë që të arrihet një paqe e qëndrueshme.
Pavarësisht nisjes së bisedimeve të paqes midis negociatorëve afganë dhe talibanëve në Katar në muajin shtator të vitit 2020, dhuna në Afganistan është rritur, duke ngritur shqetësime rreth tërheqjes së trupave të NATO-s.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer tha se nuk është bërë përparim i mjaftueshëm në negociata të paqes që do të mundësonte një tërheqje të plotë të trupave.
“Duhet të përgatitemi për ndryshim të situatës së sigurisë dhe mundësinë e një kërcënimi në rritje si për trupat ndërkombëtare ashtu edhe për ushtarët tanë”, tha Kramp-Karrenbauer në një deklaratë në 17 Shkurt.
Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se talibanët duhet të bëjnë më shumë për zbatimin e marrëveshjes së arritur me SHBA-në.