Nga 5000 zyrtarë publikë sa janë të obliguar për deklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, vetëm 600 e kanë bërë një gjë të tillë, që nga 1 marsi kur ka filluar deklarimi, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në (AKK), Afrim Atashi ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se përqindja e zyrtarëve të lartë që kanë bërë paraqitjen e pasurisë është e vogël.
“E kemi një praktikë të keqe për shkak se zyrtarët e lartë zakonisht e lënë kah fundit ta bëjnë deklarimin e pasurisë, dy tre ditët e fundit, apo javën e fundit. Dhe ne kemi një mbingarkesë të madhe për shkak së fundi konsultohen të gjitha formularët që mund t’i rishikojmë për gabime eventuale, edhe kjo është pengesë një praktikë e keqe. Deri më tani nuk e kanë deklaruar shumë zyrtar të lartë pasurinë, domethënë tani ka kaluar gjysmë muaji deri 550 zyrtarë apo 600 e kanë deklaruar, nga numri i përgjithshëm 4850 deri në 5000, që është një përqindje shumë e vogël” është shprehur ai.
Drejtori Atashi poashtu ka paralajmëruar se zyrtarët publik që nuk bëjnë paraqitjen e pasurisë brenda afatit kohor që është 31 marsi, do t’u procedohet kallëzim penal.
“Si çdo herë ashtu e përcakton ligji që procesi i deklarimit të pasurisë ose deklarimi i rregullt i pasurisë fillon nga 1 marsi dhe përfundon me 31 mars. Besojmë se me datën 31 mars do të përmbyllet ky proces nëse nuk kemi masa të tjera ndërkaq duhet patjetër që me bë me nda me ndonjë vendim ose një shtyrje si vitin e kaluar. Mirëpo po besoj që mundësia me deklarua online nuk i pengon zyrtarët e lartë edhe nëse kemi masa relative kufizuese që të deklarojnë pasurinë. Të gjithë ata zyrtarë të lartë publik që nuk e deklarojnë pasurinë në kohën e paraparë me ligj që është brenda marsit ne do të fillojmë procedurat ligjore që është paraqitja e kallëzimit penal, sepse mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rremë janë vepra penale dhe ne sigurisht që do të marrim masa me i dërgua në prokuroritë kompetente” ka thënë ai.
Por, Atashi ka treguar për EO se ata zyrtarë që kanë arsye për mosdeklarimin të pasurisë nuk do të sanksiohen edhe nëse kalon afati për paraqitjen e saj.
“Të gjithë ata zyrtarë që nuk japin arsye për mosdeklarim sepse kemi të atillë që mundem me qenë të infektuar, me qenë në spitale e me pas raste të ndryshme që janë arsye që ne i publikojmë dhe i tregojmë arsyet. I pranohet deklarimi dhe i arsyetohet për shkak se mund të ndodhë edhe më mënyrë praktike për shkak se ka zyrtarë të lartë që e bjen në dokument mjekësor që ka qenë i shtrirë në spital dhe ajo është arsye bazike e vlefshme që mos të sanksionohet për shkak se ai nuk ka pasur mundësi fizike as mënyrë tjetër të deklarimit të pasurisë” ka shtuar ai.
Sipas Atashit tashmë kjo agjenci në bashkëpunim me UNDP-në është në fazën finale të përgatitjes së një databaze elektronike e cila do të mundësojë paraqitjen online të pasurisë edhe në ardhmen.
“Nuk ka përmirësime edhe pse ne kemi bërë apel që të deklarohet më herët sepse nëse diku ka vërejtje na kemi mundësi me verifiku, me këshilluar me i dhënë shumë informata, mirëpo ky trend nuk ka ndryshuar. Realisht ne këtë trend jemi duke bërë përpjekje me ndryshu por pandemia na ka stopuar në shumë veprime tona sepse ne jemi duke u munduar që me një projekt të UNDP-së, të bëjmë një database elektronike dhe deklarimi të bëhet online. Është shumë më e lehtë sepse zyrtarët nuk kanë nevojë as të vijnë në agjenci e të plotësojnë informata. Jemi në fazën finale duke e testuar databazen elektronike që deklarimi i pasurisë në të ardhmen të bëhet vetëm online dhe mos të ketë nevojë për prani fizike” ka thënë ai.
Ndërsa Atashi ka evidentuar se disa nga pengesat e këtij procesi mbesin mosposedimi i një email-i nga zyrtarët publik si dhe njohuritë jo të duhura të përdorimit të teknologjisë.
“Deri më tani nuk kemi diçka pengesa, vitin e kaluar kemi pasur për shkak të pandemisë kufizime më të mëdha dhe është dashur që të shtyhet dy apo tre herë procesi i deklarimit dhe procese tjera. Sivjet i kemi filluar dhe po më duket që është mirë, kemi pengesa për shkak se një pjesë e zyrtarëve të lartë publik nuk kanë e-mail apo nuk kanë shumë informata të përdorimit të internetit-teknologjisë, mirëpo kjo nuk është si pengesë për ta bërë deklarimin e rregullt të pasurisë” ka shtuar ai.
Megjithëatë Atashi është shprehur se procesi i paraqitjes së pasurisë së zyrtarëve të lartë është normal.
“Edhe vitin e kaluar kemi qëlluar në kohë pandemie, pati filluar pandemia në mars dhe ishte procesi i rregullt i deklarimit të pasurisë dhe kemi filluar që procesin e deklarimit ta bëjmë në mënyrë elektronike. Ka pasur sfidat e veta pasi ka qenë viti i parë, sivjet është viti i dytë që po fillojmë për shkak se pandemia ende po vazhdon. Kemi pengesa, po është një proces normal. Ne edhe në kohën kur nuk ka qenë pandemia një pjesë e konsiderueshme e zyrtarëve të lartë e kanë bërë në mënyrë elektronike. Mënyra elektronike është shumë më e mirë, mirëpo duhet edhe të nënshkruhet një pjesë e zyrtarëve të lartë publik duhet t’i kenë edhe skanerët dhe ato të dhënat tjera, që me dërgua në agjenci” ka thënë Afrim Atashi për EO.