Pak qytetarë i bashkohen aksionit për pastrim në “Mati 1”

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 11:15 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Let’s Do It Kosova ka organizuar aksionin e radhës të pastrimit, këtë herë në lagjen “Mati 1”, në deponinë ilegale në rrugën “Muharrem Fejza”.

Luan Hasanaj nga organizata Let’s Do It Kosova, ka thënë se duhet të ngritet vetëdija e qytetarëve për mbajtjen pastër sidomos të hapësirave ku jetojnë. Ndërsa ka shfaqur rëndësinë e përfshirjes së hapësirave banuese në rrjetin e shërbimeve të ndërmarrjeve të pastrimit. Sipas tij kjo është një nga arsyet e banorëve që po detyrohen të hedhin mbeturina në deponi ilegale, raporton EkonomiaOnline.

“Fatkeqësisht po duhet aksione të tilla t’i bëjmë nëpër qytete të Kosovës, në një prej lagjeve më të mira në Prishtinë. Një situatë e cila nuk është aspak e këndshme dhe mund të themi aspak e kuptueshme që banorët të cilët banojnë këtu ta krijojnë këtë deponi, këtu në mes të hapësirës ku ata vetë jetojnë,” shprehet Hasanaj.

“Pra është me të vërtetë me u shqetësu që vetëdija e një pjese të shoqërisë është akoma e tillë që nuk kujdesemi për mjedisin jetësor dhe hapësirën publike. Por, po ashtu shqetësuese është mos efikasiteti i ndërmarrjeve që merren me menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës. Në këtë zonë ku jemi, pamë shumë pak kontenierë, me bisedat me banorët, na thanë që shumë pak prej tyre janë pjesë e  shërbimit të  ndërmarrjes, që nënkupton se përderisa ata vetë nuk e kanë shërbimin atëherë ata duhet të krijojnë këto pamje si këto këtu duke hedhur bërllokun, vend e pa vend. Andaj i bëjë apel ndërmarrjes dhe Komunës së Prishtinës që të fillojnë të mendojnë seriozisht dhe t’i bëjnë pjesë të shërbimeve, por gjithashtu të fillojnë të gjobisin ata që hedhin mbeturina në këto hapësira sepse një veprim i tillë është i dënueshëm edhe me ligje, por tanimë edhe me udhëzimin administrativ të gjobave”.

Edhe kësaj radhe, Hasanaj ka bërë thirrje për banorët që të bashkohen në aksionin e pastrimit, megjithatë jo shumë prej tyre shprehën gatishmërinë t’i përgjigjen.

Sot po vazhdojnë aksionet e pastrimit në Istog, në disa deponi të mëdha ilegale, ndërsa po vazhdon edhe në qytetin e Gjakovës, raporton EO.

“Ajo që na shqetëson është mosveprimi i banorëve, nëse kjo vetëdije vazhdon,nëse pjesëmarrja është e tillë atëherë dyshoj që Kosova do të jetë e pastër,” deklaroi Hasanaj.

Të ngjashme