Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, u shkroi letër Kombeve të Bashkuara, duke iu kërkuar që të ndihmojnë në uljen e tensioneve me Indinë, pasi dhjetëra ushtarë indianë janë vrarë në dy incidente të ndara në rajonin e kontestuar të Kashmirit.
India e ka fajësuar Islamabadin për incidentet dhe ka paralajmëruar përgjigje të rreptë.
Pakistani i ka dënuar sulmet, ndërsa ministri i Jashtëm, Shah Mahmood Qureshi, në letrën dërguar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, tha se India “qëllimisht e ka ndezur retorikën armiqësore kundër Pakistanit” dhe se “ka krijiar një mjedis të tensionuar”.
India dhe Pakistani – dy fuqi bërthamore – e administrojnë nga një pjesë të Kashmirit dhe prejse kanë fituar pavarësinë nga Britania, më 1947, kanë bërë dy luftëra për këtë rajon.
Të hënën, së paku katër ushtarë indianë janë vrarë në të shtënat me armë zjarri me rebelët, në pjesën e Kashmirit të administruar nga India.
Kjo ka ndodhur vetëm pak ditë pasi një sulm vetëvrasës ka vrarë së paku 44 paraushtarakë indianë, në rajonin e njëjtë.