Vendimi i Listës Serbe për të ngrirë aktivitetin e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës, ka nxitur reagime të shumta në opinion. Pozita dhe opozita kanë qëndrime të ndryshme përkitazi me këtë vendim të kësaj liste.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Pal Lekaj, ka thënë se ky vendim mund të sjellë tensionim të situatës në veri dhe rritje të kërkesave politike të serbëve në Kosovë.
“Vendimi i Listës serbe partnerit të këtij koalicioni, për të ngrirë aktivitetin politik brenda institucioneve, përveç se është i panjohur deri më tani në praktikën tonë institucionale mund të sjellë edhe tensionim të situatës në veri dhe rritje të kërkesave politike të serbëve në Kosovë”, ka thënë Lekaj për Indeksonline.
Këto zhvillime, sipas tij, do të duhej ta bënin kryeministrin Mustafa të reflektojë dhe të lëshojë rrugë për një momentum të ri politik për Kosovën.
“Kryeministri do të duhej të reflektojë dhe t’i hapë rrugë një momentumi të ri politikë për Kosovën, me një qeveri të vërtetë, shumë më te vogël e më ekzekutive të cilën do ta legjitimonin qytetarët me votën e vet”, ka theksuar Lekaj.
Ndryshe, Indeksonline kishte raportuar të premten për mundësinë qe kjo listë të bojkotojnë Qeverinë e Kosovës. Krejt ky “pezëm”, i Listës Serbe ndaj institucioneve të Kosovës, është i ndërlidhur me Ligjin për Trepçën, i cili është miratuar në dy lexime në seancën e se premte.