Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj Kosovës dhe rrugës së saj evropiane, derisa ka theksuar se integrimi evropian kërkon reforma, përgjegjësi dhe përfshirje të gjerë shoqërore, raporton Ekonomia Online.
Këto deklarata Palatova i bëri në ceremoninë e lansimit të dokumentarit kushtuar Ditës së Evropës, organizuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova).
Ajo tha se dokumentari pasqyron progresin dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ndër vite.
“Ky dokumentar tregon një histori. Një histori të qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe progresit të vazhdueshëm. Ai tregon se si bashkëpunimi i mundshëm me BE-në ka forcuar institucionet, ka mbështetur komunitetet, ka krijuar mundësi dhe ka përmirësuar jetën e përditshme. Bashkimi Evropian ka qenë dhe është partneri më i fuqishëm dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare. Që nga viti 1999, ne kemi investuar mbi 3.7 miliardë euro në shumë sektorë”, tha ajo.
Palatova foli edhe për emërimin e Jeton Zulfajt si kryenegociator të Kosovës me Bashkimin Evropian, duke thënë se kjo dëshmon seriozitetin e Qeverisë së Kosovës ndaj reformave evropiane.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu me Jeton Zulfajn, kryenegociatorin e Qeverisë së Kosovës për BE-në dhe koordinatorin për Reformën dhe Facilitetin e Rritjes. Emërimi i tij dëshmon se Qeveria e Kosovës i merr seriozisht reformat që lidhen me BE-në. Këto janë reforma që kërkojnë një angazhim të tërë qeverisë dhe është një punë shumë sfiduese koordinimi, për të siguruar që të gjitha ministritë të japin rezultatet e tyre dhe, natyrisht, meqë ne duam që ky proces të ecë shpejt, të sigurohet që kjo të koordinohet drejtpërdrejt dhe të bazohet jo vetëm në kontributet e ministrive të ndryshme, në mënyrë që të bëhet një qasje gjithëpërfshirëse shoqërore. Një qasje që duhet të sjellë shumë kompromise, duhet të sigurojë që shoqëria civile të konsultohet dhe që edhe opozita të jetë pjesë e saj. Pra, është një detyrë shumë e madhe dhe unë mbaj gishtat kryq për sukses në këtë punë të rëndësishme, ashtu si edhe BE-ja dhe Zyra e BE-së në Kosovë”, tha ajo.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit.
“Duke parë përpara, Bashkimi Evropian mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj Kosovës dhe rrugës së saj evropiane. Integrimi nuk ndodh brenda natës. Ai ndodh përmes reformave, përgjegjësisë dhe besimit në atë që mund të arrijmë së bashku. Përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse shoqërore, që qeveria duhet ta udhëheqë dhe të tjerët duhet të marrin pjesë aktivisht dhe me mirëbesim”, tha ajo.
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, tha se Dita e Evropës rikujton rëndësinë e paqes, bashkëpunimit dhe vlerave demokratike.
“Dita e Evropës na rikujton rëndësinë e paqes si parakusht për prosperitet socio-ekonomik, për rëndësinë e institucioneve të përbashkëta, për bashkëpunim dhe solidaritet që sjell mirëqenie dhe zhvillim. Vlerat themelore të Bashkimit Evropian, Kosova i ka të mishëruara në Kushtetutën dhe ligjet tona. Këto vlera janë respektimi i dinjitetit njerëzor, lirisë, barazisë, demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Ne jemi të rreshtuar me këto vlera si një ndër vendet me mbështetjen më të lartë për Bashkimin Evropian”, tha ai.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së kryesueses së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku tha se Bashkimi Evropian ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e sistemit gjyqësor në Kosovë.
“Shënimi i Ditës së Evropës, një ditë kjo që simbolizon bashkëpunimin, solidaritetin, dhe përkushtimin për vlerat e përbashkëta. Bashkimi Evropian ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës në rrugëtimin e saj drejt forcimit të sundimit të ligjit edhe ndërtimit të një sistemi gjyqësor të pavarur, profesional dhe efikas. Në sektorin e gjyqësorit, kontributi i BE-së ka qenë konkret dhe shumëdimensional. Një ndër zhvillimet më të rëndësishme është mbështetja për themelimin e Evidencës Qendrore Penale, ECCR, e cila përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë juridike, efikasitetit dhe koordinimit institucional në menaxhimin e të dhënave nga dosja penale. Po ashtu, përmes programeve të EUKOJUS, është mundësuar krijimi dhe standardizimi i dosjeve të gjyqtarëve dhe dosjes së administratës, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e transparencës, përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe forcimin e profesionalizmit në sistemin gjyqësor”, tha ajo.
Drejtoresha ekzekutive e BIRN Kosovës, Jeta Xharra, tha se mbështetja financiare e Bashkimit Evropian ka ndikuar drejtpërdrejt në fuqizimin e gazetarisë hulumtuese në Kosovë.
“Edhe është një mundësi e mirë me folë edhe për rezultatet që janë shkaktu me fondet e Bashkimit Evropian. Fondet e shumta që Bashkimi Evropian i ka dhanë gazetarëve me të cilët punon edhe vetë kjo pjesë e gazetarëve hulumtues që ka prodhu hulumtime që kanë shkaktu ruajtje të buxhetit të Kosovës. Miliona euro janë ruajt për shkak të zbulimeve që janë bë në këto hulumtime. Dhjetëra e qindra njerëz janë arrestu apo janë disiplinu si pasojë e investimeve që i ka bë Komisioni Evropian. Paratë e Komisionit Evropian organizatën tonë e kanë bë të fortë, reziliente edhe e kanë bë mos me pas nevojë me u tkurr edhe me pas nevojë me u varë prej parave vetëm private që ekzistojnë në Kosovë, sepse opsioni tjetër ka qenë vetëm privat”, tha ajo.



