Përfaqësuesi i Autoritetit Palestinez në Serbi, Mohamed Nabhan, reagoi ndaj deklaratës së kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, se do të hapet një zyrë e Odës Ekonomike të Serbisë (SCC) në Jerusalem.
Nabhan ka thënë: “Jerusalemi është një vijë e kuqe për popullin e tij” dhe se, siç tha ai, “këtë vijë nuk lejohet ta kalojë askush”.
“Hapja e një zyre të tillë në Jerusalem, një qytet i okupuar, është e papranueshme sipas të gjitha rezolutave të Kombeve të Bashkuara”, tha Nabhan në një deklaratë dërguar mediave.
Më 27 nëntor, kryeministrja, Ana Bërnabiq, deklaroi se hapja e zyrës së Odës Ekonomike të Serbisë ishte e gatshme dhe se “po kërkohej një moment i përshtatshëm për të udhëtuar në atë vend në mënyrë që të bëhej zyrtare fillimi i punës”.
Ajo ka thënë se hapja e kësaj zyreje u dakordua nga Marrëveshja e Uashingtonit, e cila u nënshkrua më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, dhe vuri në dukje se “Serbia do të përmbushë atë që nënshkroi në atë dokument”.
“Ne qëndrojmë prapa marrëveshjes që kemi nënshkruar dhe vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit, pavarësisht nga ndryshimi në administratën amerikane”, tha Bërnabiq, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se deri ku ka arritur zbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit.
Serbia dhe Kosova, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkruan një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Uashington më 4 shtator.
Marrëveshja përmban 16 pika dhe Serbia është zotuar se do të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem dhe gjithashtu ka planifikuar hapjën e një zyreje të Odës Ekonomike. Sipas marrëveshjes, Kosova dhe Izraeli kanë rënë dakord për njohjen reciproke.