Pallaska ‘zbulon’ shkeljen e rëndë të Qeverisë: Kurti nuk publikoi asnjë vendim, po shkel Kushtetutën dhe demokracinë

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Juristi Dastid Pallaska ka thënë se Zyra e Kryeministrit nuk ka publikuar asnjë vendim, përpos propozim vendim gjë që përbën shkelje të rëndë pasi që zhvesh Kuvendin dhe me sovranin nga e drejta kushtetuese, shkruan Gazeta Metro.


Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ai ka thënë se vendimi i Qeverisë është shkelje e rëndë e të drejtave të qytetarëve.

“Deri më tani vendimi i Qeverisë nuk është publikuar. Me sa pash mediat kanë publikuar një propozim vendim. Nëse vendimi është ende vetëm propozim, anëtarët e Qeverisë duhet ta dijnë që propozimi shkelë rëndë jo vetëm Kushtetutën por edhe demokracinë në vend. Kjo për shkak se zhvesh Kuvendin – dhe me të edhe sovranin – nga e drejta e patjetërsueshme kushtetuese që të vendosë për kufizim të të drejtave dhe lirive kushtetuese në nivel vendi”, ka shkruar ndër të tjera Pallaska.

Shkrimi i plotë i Pallaskës në Facebook:

Prej që u raportua në media se Qeveria me vendi e paska kufizuar lirinë e lëvizjes në nivel vendi, disa herë i hapa ueb faqet e Qeverisë dhe Gazetës Zyrtare për të parë nëse vendimi është publikuar.

Deri më tani vendimi i Qeverisë nuk është publikuar. Me sa pash mediat kanë publikuar një propozim vendim.

Nëse vendimi është ende vetëm propozim, anëtarët e Qeverisë duhet ta dijnë që propozimi shkelë rëndë jo vetëm Kushtetutën por edhe demokracinë në vend. Kjo për shkak se zhvesh Kuvendin – dhe me të edhe sovranin – nga e drejta e patjetërsueshme kushtetuese që të vendosë për kufizim të të drejtave dhe lirive kushtetuese në nivel vendi.

Përderisa Qeveria e ka të drejtën ligjore për të (i) izoluar të infektuarit; (ii) vendosur në karantinë personat që kanë pasur apo dyshohet se kanë pasur kontakt me të infektuarit; dhe (iii) të ndalojë qarkullimin në zonat e infektuara dhe zonat e rrezikuara nga infektimi, kjo – nën asnjë rrethanë – nuk i jep Qeverisë të drejtën kushtetuese që të kufizojë lirinë e lëvizjes në nivel vendi dhe në mënyrë të përgjithësuar, siç raportohet se ka bërë Qeveria në këtë rast. Kjo për shkak se kjo e drejtë kushtetuese i takon vetëm Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme