Palushi: Mbi 68% e eksportit të pijeve joalkoolike realizohet nga kompania “Frutex”

Prishtinë | 17 Jan 2024 | 20:16 | Nga Ekonomia Online

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, ka thënë se mbi 68% e eksportit të Kosovës në kategorinë e pijeve joalkoolike realizohet nga kjo kompani.

Ai ka treguar se brendet “Golden Eagle”, “Natural” dhe “Relax” mbyllën vitin 2023 një ndër produktet më të eksportuara.

“Gjatë vitit 2023, ‘Frutex’ ka pasur rritje të eksportit për 40%, kurse pjesëmarrja e kompanisë me brendet Golden Eagle, Relax Natural në kategorinë e pijeve joalkoolike të eksportuara nga Kosova ishte mbi 68 për qind”, ka shkruar Palushi, në një postim në Facebook.

Shpjegimi i Palushit erdhi pasi Instituti GAP publikoi një tabelë me 10 kategoritë e produkteve më të eksportuara dhe importuara nga Kosova më 2023. Sipas GAP, eksporti i pijeve freskuese përbën 4,2 për qind të eksportit të gjithmbarshëm të Kosovës në vitin 2023, me 34 milionë e 310 mijë e 481 euro.

Produktet e kompanisë “Frutex”, sipas Palushit, eksportohen në mbi 30 vende të botës: Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi, Bosne, Slloveni, Bullgari,Itali, Zvicer, Gjermani, Suedi, Angli, Belgjikë, Holandë, Çeki, Austri, Luksemburg, Francë, Greqi, Finlandë, Kuvait, Irak, Libi, Kamerun, SHBA, Australi, etj.

Çfarë eksportoi dhe importoi Kosova më së shumti gjatë vitit 2023?

Në vitin 2023, Kosova eksportoi më së shumti dyshekë, ndërsa importoi më shumë naftë, sipas një tabele të publikuar të mërkurën nga Instituti GAP, bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës.

GAP publikoi 10 kategoritë e produkteve më të eksportuara dhe importuara nga Kosova më 2023.

Në listën e eksporteve, dyshekët prin me 12.1 për qind të eksportit. Plastika zë vendin e dytë me 6.6 për qind, ndërsa tuba prej çeliku dhe hekuri renditen në vendin e tretë.

Pijet freskuese (4.2%), mobilie (3.9%), mbetje dhe skrap hekuri (3.7%), struktura të hekurit apo çelikut (2.8%), energji elektrike (2.4%), pllaka dhe shirita prej plastike (2.4%) dhe kostume (2%) – janë në listën e produkteve më të eksportuara nga Kosova.

Në listën e importeve, nafta është e para me 10.2 për qind, ndjekur nga vetura dhe mjete të tjera motorike 7.9 për qind dhe tuba prej hekuri apo çeliku 2.5 për qind.

Energji elektrike (2%), cigare (1.9%), pije freskuese (1.7%), medikamente (1.6%), biskota dhe produkte të tjera buke (1.5%), gjedhe (1.5%) dhe çimento portland (1.3%) – janë në listën e produkteve më të importuara nga Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme