Diego Costa ia prishi vetes një natë magjike në një ndeshje miqësore mbrëmë në SHBA, për shkak se u përjashtua me karton të kuq pas një përleshjeje me Dani Carvajalin.
Sulmuesi spanjoll po bënte një ndeshje madhështore ndaj rivalit Real Madridit në International Champions Cup, duke shënuar het-trik në pjesën e parë që Atletico e mbylli me rezultat 5:0.
Ai e nisi furishëm edhe pjesën e dytë dhe e realizoi golin e katërt personal dhe të gjashtin për skuadrën e Diego Simeones.
Por, kur akrepat shënonin pak më shumë se një orë lojë, 33-vjeçari humbi toruan dhe u përjashtua me karton të kuq për shkak se shkaktoi një përleshje me mbrojtësin Dani Carvajal.
Carvajal ndërhyu ashpër ndaj Lemarit në mesin e fushës, gjë që e nxiti Costan të reagojë ashpër ndaj tij duke e nisur një përleshje.
Ata u përleshen përkundër përpjekje të vazhdueshme të bashkëlojtarëve për t’i ndarë dhe për pasojë u përjashtuan nga loja direkt me kartonë të kuq.