Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje deklarohen lidhur me atë se kush do të arrijë të formojë Qeverinë e Kosovës pas dështimit të PAN-it, është koalicioni i madh që sot iu është përgjigjur këtyre zërave.
I kontaktuar nga Indeksonline, ministri në largim njëherësh kandidati i cili ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës për legjislaturën e ardhshme, Memli Krasniqi ka mohuar mundësinë e lëkundjes së koalicionit PAN, nga ndonjë ofertë e mundshme e partive të tjera.
Madje Krasniqi ka mohuar edhe mundësinë e “dështimit” të koalicionit parazgjedhur.
“Nuk do të ketë mandatar të dytë, sepse koalicioni ynë do t’i formojë institucionet e reja shumë shpejtë”, ka thënë Krasniqi.
Deputeti në ardhje nga radhët e PDK-së gjithashtu nuk ka dashur të cekë se kur saktësisht PAN do të ketë gati votat për formimin e Qeverisë së Kosovës, duke deklaruar se kjo gjë do të arrihet shpejtë.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nacionale në vend, që u bë të shtunën që shkoi, shumë shpejt pritet që të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe brenda pak kohëve të propozohet edhe formimi i Qeverisë së Kosovës, nga kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj.