Kurti në takim me ambasadorin britanik: Qeveria e re do të konstituohet shpejt

Prishtinë | 26 Shk 2021 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i VV-së dhe kandidati për kryeministër nga po kjo parti, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Në një postim në Facebook, LVV ka bërë të ditur se Abott ka uruar Kurtin për fitoren në zgjedhjet e fundit, teksa ky i fundit ka thënë qeveria e re do të formohet shpejt.

“Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott, të shoqëruar nga sekretari i dytë politik, z. Richard Le Vay, e priti sot në takim kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me kandidatin për deputet, Arben Vitia dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj. Ambasadori z. Abbott e uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje dhe i dëshiroi sukses në angazhimin e mëtejmë drejt formimit të institucioneve të reja. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin, dhe duke ndarë bindjen se qeveria e re do të konsolidohet shpejt, e njoftoi atë me disa prej prioriteteve të saj. Punësimi, drejtësia, pandemia me të cilën po përballemi dhe sigurimi i vaksinës për qytetarët tanë janë çështje kyçe tha Kurti. Ai foli edhe për një bashkëpunimin më të përgjegjshëm e cilësor mes qeverisë së re dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, si dhe për dialogun me Serbinë për të cilin përsëriti që nuk duhet të ngutemi duke premtuar me afate kohore dhe se dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë e marrëveshja e qëndrueshme. Në fund, të dy u dakorduan për bashkëpunim në projekte konkrete që do të ndihmonin si shtetndërtimin demokratik e zhvillimin ekonomik të vendit tonë, ashtu edhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve tona në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme