Veshje kombëtare, bizhuteri, piktura, produkte bujqësore, punime të shumta punëdore e të tjera tashmë e dy ditë janë duke u ekspozuar në sheshin “Skenderbeu”, në Prishtinë.
120 prodhues nga Kosova dhe Shqipëria janë duke promovuar produkte e tyre artizanale. Panairi i cili tashmë është bërë tradicional po mirëpritet nga prodhuesit por edhe nga blerësit, raporton Ekonomia Online.
Kjo pasi sipas prodhueseve qytetarët janë mjaft të kënaqur me interesimin për produktet e tyre.
Kristina Ndoci nga Shkodra tha se punimet që bën kanë për qëllim ruajtjen e artit shqiptar. Ajo tha se janë shumë të kënaqur dhe i ftojnë qytetarët të marrin pjesë në panaire të tilla pasi sipas saj, një ftesë e tillë do të thotë respektim i punës.
“Vij me punime artizanale, nuk është hera e parë që marrim pjesë në panaire ne shkojmë në tërë trevat shqiptare nëpër panaire. Punëdoret për të ruajtur artin shqiptar por edhe njëkohësisht edhe mënyra e jetesës sonë sepse nuk është se kemi shumë punë. Çmimet janë barabartë si në Shkodër si këtu. Çmimet klientit i duken dhe shtrenjtë por peni që blehet punohet”, u shpreh Ndoci.
Me rreth 40 produkte të mjalti nga Deçani në këtë panair kishte ardhur edhe Afrim Demiri. Demiri tha se panairet e tilla i ndihmojnë që të jenë sa më afër me konsumatorët.
“Kemi ardhur me produkte të mjaltës kemi traditë 40 vjeçare. Kemi një gamë të madhe të mjaltës kemi dikun 40 lloje. Ç’do herë jemi pjesë e panairit. Panairet na ndihmojnë shumë sepse kemi drejtpërdrejtë kontakte me konsumatorët”.
E pajisur edhe vet me simbole kombëtare Fana Gashi nga Peja në këtë panair prezantonte produktet e saj punim dore .
“Për fillim mirë është kah shkon besoj do të na shkoj mirë. Ç’do panair marr pjesë mirë më shkon se njoftohum njani me tjetrin e bëjmë biznesin së bashku, tani kemi shumë punime që punojmë kemii lloj lloj. Çmimet për veshjet kombëtare shkojnë prej 15 deri në 150 euro. Është pak vështirë ,por unë e kam hobi dhe nuk më vjen vështirë aspak me punu”
Panairi “Blej Shqip”, është hapur me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë për të tretin vit me radhë, ku pjesëmarrës janë rreth 120 prodhues e kompani shqiptare.