Përfundimi i akteve nënligjore në bazë të Ligjit për mbrojtjen e fëmijës, ishte temë diskutimi ndërmjet anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione me përfaqësues të shoqatave për mbrojtjen e fëmijëve, raporton Ekonomia Online.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, me ç’rast Qëndresa Ibra nga kjo Zyre tha se koha e pandemisë dhe ndryshimet e Qeverisë e kanë pamundësuar implementimin e tërësishëm të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
“Sa i përket nxjerrjes së akteve nënligjore që burojnë nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, siç e dini që Ligji është aprovuar në vitin 2019 dhe ndoshta nuk ka qenë ndoshta koha më e mirë e mundshme e cila na derivon në nxjerrjen e udhëzimeve administrative sepse në atë kohë ka qenë koha e Covid-19, ku mundësia që me u zhvillu dokumentet ku kanë kërku një pjesëmarrje më të madhe të grupeve punuese, ka qenë e limituar”, deklaroi ajo.
“Kohëve të fundit është bërë edhe ndryshimi i strukturës organizative të brendshme të Qeverisë dhe kushtimisht kjo ka ndikuar edhe në ndaljen e hapave sa i përket aprovimit të të gjitha udhëzimeve administrative që burojnë prej Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës”, shtoi ajo.
“Realisht nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve kërkohen të nxjerrën 17 udhëzime administrative, 15 prej të cilave janë nën përgjegjësinë e institucioneve qeveritare, ndërsa 2 të institucioneve të pavarura, siç është Këshilli i Gjyqësor dhe Këshilli i Pavarur i Mediave. Prej këtyre 15 udhëzimeve që janë nën përgjegjësinë e Qeverisë, janë aprovuar nëntë, aktualisht janë finale të cilat i kanë tejkaluar edhe procedurat e konsultimit publik dhe procedurat e konsultimit paraprak dhe janë gjashtë udhëzime administrative. Njëra është nën përgjegjësinë e MASHTI-t që ka të bëjë me edukimin për mbrojtjen e fëmijës si dhe të gjitha udhëzimet tjera janë nën domenin e Ministrisë së Drejtësisë. Ideja se përse këto dokumente na kanë mbet pa aprovuar në Qeveri është për faktin se në kohën kur janë zhvilluar dokumentet, përgjegjësia e çështjes sociale ka qenë në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe kohëve të fundit ky mandat u ndryshu kaloi në kuadër të përgjegjësisë së Ministrisë së Drejtësisë dhe ishte e pamundur që ne të vazhdojmë punën me aprovimin e dokumenteve në fjalë pa u rregullu juridikisht aspekti i strukturës organizative të brendshme”, u shpreh tutje ajo.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, kërkoi të di për ngecjet sa i përket implementimit të këtij ligji.
“E pata një kërkesë që të kemi një raport të detajuar edhe nga ZQM-ja por edhe nga organizata tjera, që ta dimë se ku jemi duke ngecur me implementimin e këtij Ligji jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm”, u shpreh ajo.
“Çka më intereson të di më konkretisht është që Ligji zyrtarizon Programin e Vizitave në Shtëpi. Të gjitha gratë që janë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç. Pra ky është paraparë që të përdorët si mjet identifikimi për rrezikun eventual dhe pastaj të përcillet referimet tek sektorët tjerë përgjegjës. Më intereson të di se ku jemi me këtë pikë të zbatimit të Ligjit sepse e vlerësoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme se numri i grave shtatzëna po ashtu edhe fëmijëve, të drejtat e tyre jo gjithmonë janë duke u respektuar”, pyeti Musliu-Shoshi.
E për këtë, mori përgjigje nga përfaqësuesja e ZQM-së.
“Më kujtohet atë kohë kur e kemi zhvilluar çështjen që ju po i referoheni në kuadër të nenit për shëndetësi, ne e kemi vendos këtë dispozitë me idenë që të ndikojmë në masën më të madhe në aspektin e parandalimit të dukurive të ndryshme negative që mund evitohen tek fëmijët, andaj edhe kemi menduar që në kuadër të vizitave në shtëpi t’i bëjmë obligative për çdo fëmijë nga 0-3 vjeç”, deklaroi ajo.