Rizvanolli pret në takim shefin e misionit të FMN-së në Kosovë, diskutojnë rreth zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik

Prishtinë | 31 Tet 2024 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli priti në takim shefin e misionit të FMN-së në Kosovë, David Amaglobeli me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që po vizitojnë Kosovën, në kuadër të vlerësimit vjetor për Artikullin IV.

Ky mision synon të vlerësojë zhvillimet ekonomike të Kosovës dhe përpjekjet për rritje të qëndrueshme dhe inkluzive ekonomike.

Sipas një komunikate për media, gjatë këtij takimi, delegacioni i FMN-së dhe Rizvanolli diskutuan përparimin në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Një ndër temat kryesore të diskutuara ishte përparimi në projektet konkurruese prej 150 MW për energjinë nga era, të cilat janë duke u dizajnuar nga Ministria e Ekonomisë me mbështetje të USAID-it dhe me IFC-në si këshilltar kryesor të transaksionit.

“Ministrja Rizvanolli informoi delegacionin mbi progresin në dizajnimin e projekteve konkurruese të energjisë nga era, të cilat synojnë të promovojnë investime të qëndrueshme në këtë sektor me potencial të lartë për Kosovën”, thuhet në kumtesë.

“Këto projekte konkurruese do të bashkëfinancohen nga Qeveria e Kosovës përmes fondeve të mundësuara nga marrëveshja e fundit me FMN për një program mbështetës, që synon përmirësimin e infrastrukturës së gjelbër dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit”.

Të ngjashme