Ndërsa vijon të rritet bilanci i përditshëm i të sëmurëve dhe viktimave me Covid, bilancet e ekonomisë kanë nisur të japin sinjalet e para shqetësuese.
Javës së kaluar Bashkimi i Prodhuesve bëri publike të dhënat e një vrojtimi zhvilluar mes 90 sipërmarreve anëtare të saj. Nga kjo anketë, 70% e kompanive (të mesme e të mëdha) tregojnë se do të pushojnë punonjës nga puna. Dhe jo pak, por 50-90% të tyre. 10% e kompanive do të mbyllin tërësisht aktivitetin.
Masat për lëvizje vijojnë të mbeten të shtrënguara dhe cilësohen si faktori kryesor i përmbajtjes së numrave të të sëmurëve të rinj dhe viktimave. Faktet treguan se vetëm dy grumbullime në funerale ndikuan në rritjen e infektimit.
Ndërkohë, disa nga tregjet në kryeqytet vijojnë të sjellin pamje shqetësuese, sidomos të shtunave. Pikërisht nga kjo, kryeministri Rama paralajmëroi shtrëngim të masave, deri me burg për të pa bindurit.
Javës së kaluar ngjalli shumë debate edhe deklarata e kryeministrit për të mos paguar qeratë në këto muaj krize. Një deklaratë që brenda ditës u zbut prej tij, duke theksuar se qiramarrësit e pamundur kanë të drejtë të shtyjnë afatin e pagesës së qerasë.
Ministria e Financave nga ana e saj bëri të ditur nisjen e aplikimit të pagesës së papunësisë. Punonjësit dhe të vetëpunësuarit në sipërmarrjet e vogla, kanë nisur të aplikojnë për të marrë pagesën nga mbështetja shtetërore, ndërsa kryeministri Rama është shprehur se nga kjo mbështetje nuk përfitojnë punonjësit që ishin të pasiguruar. Madje ai ka ftuar punonjësit e pasiguruar të denoncojnë punëdhënësit.
Ndërkohë, në nivel ndërkombëtar, vijon politika e distancimit social, si forma më e mirë për të frenuar përhapjen e Covid. Në disa vende të Europës pandemia po shkon drejt pikut të saj, ndërsa Italia duket se po e lë pas, ndonëse me një dëm të madh në viktima.
Javës së kaluar u përforcua fakti se kjo krizë shëndetësore dhe sigurisht edhe ekonomike do të jetë relativisht e gjatë. Shkollat edhe mund të mos rihapen këtë vit, ndërsa njerëzit nuk do të mund të qarkullojnë të sigurt derisa të sigurohet vaksina kundër Covid.