Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se mbajtja e zgjedhje ka ndikuar në zvarritjen e shumë projekteve. Në këtë drejtim ai tha se pengesë të madhe u ka shkaktuar edhe mungesa e bordit të OShP-së.
Gjini që morri edhe një mandat për të udhëhequr me këtë komunë, thotë se Gjakova ka avancuar shumë në rritjen e të hyrave buxhetore.
“Në implementim të projekteve kemi pasur më shumë vështirësi këtë vit për shkak kanë ndodhur zgjedhjet, mirëpo arsyeja kryesore është se nuk kemi pasur bord të OShP-së prej pranverës dhe ka ngecje në implementim të projekteve në të gjitha komunat”.
“Shpresoj që një pjesë të madhe ta rikuperojmë deri në fund të vitit. Projektet për vitin tjetër janë kogja shumë dhe kemi një buxhet të balancuar ku do të ecim më shpejt. Detyrat që i kryen komuna do t’i kryejmë edhe ne me insistim të vazhdueshëm. Këto janë çështje që kanë të bëjnë me nivelin nacional për shkak se rregullat përcaktohen nga niveli nacional”.
Duke shpresuar që mos të ketë valë të reja të infektimeve me Covid-19, ai thotë se do të respektojnë çdo vendim që vije nga institucionet qendrore.
“Ne do t’i zbatojmë ato vendime dhe çdo aspekt ligjor që ka të bëjë me pandeminë dhe shpresojmë të mos kemi valë të madhe të virusit. Komunën e Gjakovës viti 2022 do ta gjejë gjithmonë e më mirë”.
Edhe kryetari i rizgjedhur i Lipjanit Imri Ahmeti tha se ky vit ka qenë sfidues sa i përket pandemisë, duke shtuar se janë duke e përcjell në vazhdimësi trendin e infektimeve.
Sipas tij, janë investuar 97 projekte kapitale në të gjitha fshatrat dhe qytete.
“Aktualisht ndodhemi në fazën e mbylljes së investimeve gjatë vitit që po e lëmë pas dhe po punohet për të shikuar parametrat e shpenzimit të buxhetit koonform planifikimit buxhetor dhe posa të mbyllet ky vit do të hyjmë në agjendën investive për vitet në vijim. Ne përcaktohemi për objektivat zhvillimore gjatë vitit të ardhshëm dhe do t’i qasemi projekteve në realizim që janë të paraparë në buxhet për vitin 2022”.
Kryetari Ahmeti theksoi se janë të përcaktuar për realizimin e objektivave zhvillimore sa i përket projekteve për vitin 2022, raporton EO.
“Ky vit që lamë pas ka qenë sfidues sepse çështja e pandemisë vjen me shumë të panjohura dhe nuk e dimë vlerën e nevojshme të shpenzimit të mjeteve sepse askush nuk mund të parashoh saktësisht numrin e të infektuarve të shpenzimeve që ndodhin në raste të pandemisë. Ne po e përcjellim trendin e infektimeve dhe nuk është diçka shqetësuese”.
“Po ndërtohen struktura që janë më të qëndrueshme dhe jo ad-hoc për këto raste. Shpresojmë që nuk do të kemi rritje të varianteve të Covid. Përkundër që ka qenë një vit sfidues Lipjani edhe këtë vit del jashtëzakonisht mirë. E para është përmbushur plani i të hyrave vetanake dhe realizojmë buxhetin. Janë investuar 97 projekte kapitale në të gjitha fshatrat dhe qytete”, tha Ahmeti.