Pandemitë, si kjo e koronavirusit, janë rezultat i shkatërrimit njerëzor të natyrës, kanë bërë të ditur liderët në Kombet e Bashkuara dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se bota po e injoron këtë realitet të errët për dekada me radhë.
Tregtia ilegale e botës bimore dhe shtazore, duke ngritur shkallën e paqëndrueshmërisë, si dhe shkatërrimi i pyjeve dhe vendeve të tjera të egra, ende janë shkaktarët kryesorë prapa numrit të ngritur të sëmundjeve që po barten nga bota shtazore në atë njerëzore, kanë thënë liderë të këtyre organizatave për gazetën britanike, “Guardian”.
Ata kanë bërë thirrje për ripërtëritje të gjelbër dhe të shëndetshme nga pandemia e COVID-19, sidomos me reformim të bujqësisë destruktive dhe dietave të paqëndrueshme.
Rreziku nga pandemia e radhës
Në një raport të publikuar të mërkurën paralajmërohet se “rreziku i sëmundjeve të reja nga bota shtazore në atë njerëzor në të ardhmen do të jetë më i lartë se kurrë, me mundësi për të shkaktuar kaos në sisteme shëndetësore, ekonomie dhe sigurie”.
Drejtuesit e këtyre organizatave kanë thënë se në Britaninë post-Brexit, marrëveshjet tregtare që dështuan të mbronin natyrën do ta bëjnë Britaninë “bashkëfajtore për ngritjen e rrezikut nga pandemia e radhës”.
Të dhënat e nivelit të lartë të publikuara në një seri paralajmërimesh që nga marsi, me ekspertët më të njohur të biodiversitetit të botës, kanë treguar se do të ketë pandemi edhe në të ardhmen po qe se nuk merren masa të menjëhershme për ndaljen e shkatërrimit të botës.
Në fillim të qershorit, shefi i mjedisit i OKB-së dhe ekonomist i njohur, ka thënë se COVID-19 është “sinjal SOS për ndërmarrje njerëzore” për shpëtimin e natyrës dhe mendësia ekonomike nuk merret fort me rëndësinë që ka natyra për shëndetin publik të njerëzimit.
“Kemi parë shumë sëmundje që janë shfaqur viteve të fundit, si Zika, Aids, Sars dhe Ebola, dhe të gjitha prejardhjen e kishin prej popullatave shtazore nën kushte të vështira mjedisore”, ka thënë Elizabeth Mrema, drejtuese e konventës së OKB-së për diversitet biologjik. Këto janë mbështetur edhe nga Maria Neira, drejtoreshë e mjedisit dhe shëndetit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Marco Lambertini, shef i WWF International.
Hakmarrja e natyrës
Me koronavirusin, “këto përhapje janë manifestime të lidhjes sonë me prishje të rrezikshme baraspeshash me natyrën”, kanë thënë ata. “Krejt këto ilustrojnë se sjellja jonë destruktive ndaj natyrës është duke rrezikuar vetë shëndetin tonë – një realitet i hidhur që e kemi injoruar për dekada me radhë”.
“Është për keqardhje që përderisa COVID-19 na ka dhënë edhe një arsye tjetër për të mbrojtur dhe ruajtur natyrën, kemi parë se e kundërta po ndodh në terren. Prej Mekongut të Madh deri në Amazonë e Madagaskar, prerja ilegale e drunjve dhe zjarret pyjore po ndikojnë në shkatërrimin e gjendjes së natyrës dhe botës shtazore. Dhe krejt këto po ndodhin në kohën kur më shumë se kurrë na duhet natyra.