Pantina: Seancat po bëhen “show”, nuk po ofrojnë zgjidhje të problemeve

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 15:01 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën ku po debatohet për ikjen e të rinjve nga Kosova, raporton Ekonomia Online.

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka dhënë vërejtje për Kryesinë e Kuvendit pasi tha se agjendën e Kuvendit po e përcaktojnë portalet e jo kush do duhej ta përcaktonte.

 “Vërejtja ime shkon për Kryesinë e Kuvendit sepse agjendën më shumë po e përcaktojnë portalet dhe statuse se sa kryesia e cila do duhej të mblidhej çdo javë, të caktonte seancë çdo javë. Janë mbi 60 pika të rendit të ditës që disa prej tyre po barten që prej qershorit ë vitit të kaluar. Ndoshta aty është zgjidhja për të ndaluar ikjen e të rinjve”, tha ajo.

“…Kemi ministren e re të bujqësisë. Më mirë do ishte të organizonim seancë të jashtëzakonshme se si t’i ndihmojnë fermerët dhe të krijojnë të hyra. Shumë shpejt vjen fundi i vitit shkollor, a nuk do duhej të flasim për programe të reja sepse për orët e humbura kemi folur. Nuk besoj që ky debat i sotëm ka me ua mbushë mendjen atyre që sot janë duke pritë për viza që të heqin dorë. Ata që e kanë mendjen në dysh a do shkojnë apo jo, më shumë do jenë për të shkuar”.

Ajo shtoi se seancat po bëhen “show” më shumë se sa vend për zgjidhje të problemeve, ashtu si seanca e sotme.

“Kuvendi është bërë vend i akuzave e kundërakuzave. Këto seanca më shumë po shërbejnë si show se sa që po japin zgjidhje konkrete”, tha ajo.

Ndërkaq, kritikë pati edhe për mbylljen e lojërave të fatit dhe kazinove, pasi shtoi se vendimi i tillë ka sjellë një problem tjetër me të cilin Qeveria duhet të merret.

“Ne votuam për lojërat e fatit, por tani kanë vërshuar akuzat që ndoshta qeveria tash është e detyruar të paguaj sepse nuk kemi pasur strategji për të. Vetëm si reagim i titujve të portaleve dhe çdo vendim që nuk analizohet kam frikë se vetëm do ta përkeqësojë gjendjen në vend. Kështu po e shoh edhe seancën e sotme”, tha ajo, raporton EO.

Të ngjashme