Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, në një intervistë të shkurtër për Periskopin iu është përgjigjur deklaratave të mbrëmshme të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për afërsi mes AAK’së e PSD’së. Pantina, për Periskopin, ka thënë se ende s’kanë pranuar ndonjë ofertë nga partia e Haradinajt, dhe se një bashkëpunim mes tyre do të ndodhte vetëm në rast të dakordimit për disa prej çështjeve më të rëndësishme programore.
Pantina, ndër të tjerash ka treguar nëse për PSD’në do të ishte i pranueshëm një koalicion AAK-PSD-Nisma-AKR.
Pantina flet edhe partinë me të cilën nuk duan bashkëpunimin, takimin e Dardan Molliqajt me Lutfi Hazirin, shpërbërjen e Kuvendit e shumë çështje tjera.
Intervista e plotë me Pantinën:
PERISKOPI: Zonja Pantina, ish-kryeministri Ramush Haradinaj tha mbrëmë në një intervistë se partia e tij e ka një afërsi, ndër të tjerash edhe me PSD. A ka pasur kohëve ndonjë diskutim apo bashkëpunim mes dy partive që do çonte në afërsi të tillë?
Pantina: Një pyetje e tillë do të duhej t’i drejtohej kryeministrit Haradinaj. Edhe pse mendoj se kjo ka të bëjë me sjelljen konstruktive që ne e kemi pasur si opozitë në Kuvend, ku ne kemi pasur qëndrim të mirë ndaj disa pikave, kryesisht gjëra nga të cilat kanë përfituar edhe qytetarët, por ka shumë raste kur ne nuk kemi votuar ndonjë ligj apo propozim tjetër, sepse kemi gjykuar se nuk janë, apo nuk sjellin përfitime për qytetarët, apo kanë qenë në kundërshtim me ideologjinë tonë të majtë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë sigurt se ne do të kemi bashkëpunim në kuptimin e koalicionit parazgjedhor me AAK’në, ndonëse kjo nuk përjashtohet. Pra, është çështje e hapur. PSD ende nuk ka vendim përfundimtar se si do të garojë në këto zgjedhje, edhe pse do të parapëlqenim të garonim vetë. Edhe pse përvoja na ka treguar, edhe nga zgjedhjet e kaluara, se për të pësuar ndryshime pozitive në këtë vend duhet të bëhen edhe marrëveshje parazgjedhore. Kështu që ne po shqyrtojmë të gjitha opsionet, për të parë se me cilin subjekt kemi ngjashmëri më të madhe programore dhe vendimin do ta marrim mbi këtë bazë: me cilin subjekt mund të pajtohemi më shumë për çështje programore.
PERISKOPI: Zonja Pantina, ish-kryeministri Haradinaj përmendi si opsion një koalicion mes AAK’së, Nismës, AKR’së dhe PSD’së. A do të ishte i pranueshëm ky koalicion për PSD’në?
Pantina: Ne ende nuk kemi marrë vendim. Nëse partia e tij ka menduar një opsion të tillë, atëherë ende nuk na kanë sjell neve që ta shohim atë, por siç thash – për ne janë të rëndësishme çështjet programore. Ne kemi disa papajtueshmëri me Aleancën dhe kjo është e natyrshme sepse ata janë parti e djathë, ndërsa ne subjekt i majtë. Edhe në rast të koalicionit të mundshëm, ne fillimisht duhet të pajtohemi për disa çështje për të cilat kemi qëndrime krejtësisht të kundërta, siç është për shembull marrëveshja me Countur Global, pasi ne jemi kundër kësaj marrëveshje. Ne po ashtu nuk mendojmë se nevojiten autostrada të reja në Kosovë, ne mendojmë se buxheti duhet të orientohet te projektet zhvillimore që krijojnë punë afatgjate. Duam më shumë buxhet në projekte që përmirësojnë kushtet në investime, të drejtat e punëtorëve dhe sidomos rrisin cilësinë në arsim e shëndetësi. Këto pika programore duhet t’i diskutojmë në detaje.
PERISKOPI: Gjatë këtyre dy viteve qeverisje të Haradinajt, a keni parë gatishmëri për bashkëpunim në çështje të tilla, sepse edhe kjo Qeveri më së shumti investime ka bërë në asfalt?
Ende nuk kemi filluar bisedimet. Besoj se asnjë subjekt politik nuk i ka filluar bisedimet për partneritet potencial. Ajo çka ne jemi duke bërë si PSD, jemi duke punuar në dy drejtime. Po punojmë në terren për struktura tonë, për t’i përgatitur për zgjedhje. Në dy ditët e fundit janë paraqitur mbi 100 vullnetarë, të cilët do t’i angazhojmë. Ndërsa drejtimi tjetër ku po punojmë është forma përfundimtare e programit tonë, përfshirë platformën qeverisëse. Kur ta përfundojmë këtë program, atëherë ai do të jetë çështje e diskutimit me subjekte tjetra. Ne do ta kemi të qartë se cilat do të jenë projektet e qeverisjes. Do të bëjmë përpjekje që ta shtyjmë sa më përpara këtë program, sepse jemi të bindur se nuk do të mund ta realizojmë 100 për qind nëse hyjmë në koalicion me ndonjë subjekt. Por, disa nga këto pika nuk do të jenë as të negociueshme.
PERISKOPI: Zonja Pantina, një javë pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe Kuvendi ende s’po mblidhet. Pse po ndodh kjo dhe kujt po i konvenon më së shumti situata aktuale?
Gjatë gjithë kësaj legjislature, Kuvendi nuk e ka përmbushur detyrën e vetë, sidomos atë të mbikëqyrjes së Qeverisë. Nuk janë thirrur mbledhje të rregullta. Kjo legjislaturë është shquar për numrin më të madh të seancave të jashtëzakonshme, shumica prej të cilave kanë qenë absolutisht të panevojshme. Ajo çka ka ndodhur si pasojë është që shumë ligje s’janë diskutuar dhe është pamundësuar mbikëqyrja e Qeverisë. Përmes pyetjeve parlamentare ne kërkojmë llogari nga Qeveria. Kjo është pikë e zakonshme e secilës seancë të rregullt dhe mungesa e tyre e ka pamundësuar të kërkojmë llogari përmes pyetjeve parlamentare. Unë i kam mbi 20 pyetje parlamentare për ministrat, të cilat e kam pasur të pamundur t’i parashtrojë. Kuvendi vazhdimisht ka qenë pothuajse jofunksional dhe kjo për mua s’është habi. Fajtor kryesor është kryetar i Kuvendit, i cili është përgjegjës bashkë me Kryesinë, për të thirrur mbledhje e seanca dhe unë mendoj se edhe tani duhet Kryesia të thërras seancë, ku duhet të votohet shpërndarja e Kuvendit që më pas t’i hapet rruga presidentit që t’i shpall zgjedhjet e reja. Por, pa u shpërndarë Kuvendi nuk mundet asnjë institucion tjetër, e as presidenti, ta bëjë këtë?
PERISKOPI: A do t’i jepte PSD’ja votat për shpërbërje të Kuvendit në seancën që do të caktohej?
Ende nuk e kemi diskutuar këtë, por siç e dini, ne i kemi dhënë nënshkrimet për mocion mosbesimi. Andaj, ne kemi qenë të përgatitur se do të ketë zgjedhje.
PERISKOPI: Nëse mbahen zgjedhjet, me kë nuk do të bashkëpunonit?
Është interesante kjo çështja e vijave të kuqe, e cila është bërë retorikë para zgjedhore, por pas zgjedhjeve, të gjitha vijat e kuqe po bëhen të padukshme. Ne e përjashtojmë mundësinë e koalicionit me PDK’në, për faktin e vetëm se kjo parti ka qeverisur një kohë të gjatë, dhe tani është koha të shkojë në opozitë. Kjo do t’i bënte shumë mirë Kosovës. Me PDK’në nuk duam bashkëpunim.
PERISKOPI: Krejt në fund, pse ndodhi takimi mes Dardan Molliqajt e Lufti Hazirit, njërit prej pretendentëve për kryetar të LDK’së?
Ne takohemi shumë shpesh me të gjithë, qoftë deputetë apo udhëheqës të partive politike. Ne nuk jemi armiq. Takohemi në rrugë, takohemi nëpër ndonjë lokal ku jemi duke drekuar dhe ne përshëndetemi e ulemi bashkë. I tillë ka qenë takimi mes tyre. Ata janë takuar rastësisht në një kafene dhe më pas janë ulur e janë biseduar. Biseda e tyre nuk mund të konsiderohet si takim me një agjendë të caktuar. Bisedat për partneritet të mundshëm zhvillohen nëpër zyra dhe ne gjithmonë preferojmë që takimet e tilla të jenë të formalizuara. Kështu që ky është takim siç takohemi shpesh. Edhe unë jam takuar me shumë kolegë të mi nga LDK’ja, natyrisht se në takime të tilla diskutojmë edhe për bashkëpunime, por ato nuk janë zyrtare, sepse nuk kanë agjendë. As Molliqaj, as Haziri, nuk kanë autorizime për të negociuar për bashkëpunime. Takimet zyrtare bëhen kur autorizohen personat nga partia. Takime të tilla janë të ngjashme me takimet që mund t’i kemi unë, Shpendi, Visari e të tjerët.