Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, në emisionin e mëngjesit në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), shpalosi propozimet e KPK-së, për pakon e dytë fiskale e cila pritet se do të pësojë një seri ndryshimesh ligjore që sipas Qeverisë do të jenë në shërbim të zhvillimit të prodhuesve vendor.
Ai tha se është dërguar një listë e kodeve tarifore që përdorën për prodhim, e cila i është dërguar Ministrisë së Financave, për ka ministri ka konfirmuar se 90 për qind e këtyre kodeve janë miratuar dhe shuma që do të lirohen prodhuesit nga tarifat doganore është diku rreth 7 milionë euro për vitin 2017.
“Kërkesat fillestare nga prodhuesit ka qenë diku rreth 30 milionë euro, mirëpo, Qeveria ka ndarë vetëm, 7 milionë , për çka mendoj se nuk është e mjaftueshme. Sikur të ishte kërkesa për lirime doganore me 10 milionë dhe të ndaheshin 7 milionë, mendoj se do të ishte e pranueshme, por 7 milionë e Qeverisë që ka vendosur mos t’i inkasojë nuk është humbje për Kosovën, sepse këto para mbesin te bizneset prodhuese, të cilat mund të shkojnë për investime të reja në ngritjen e kapaciteteve, punësime të reja…etj”, tha Panxha.
Sipas tij, sa më shumë që ka lirime të tilla ndaj biznese ato do të reflektohen në rritjen e konkurrencës së produkteve dhe uljen e papunësisë.
“Kështu lirimet që bëhen për bizneset gjithmonë përfiton ekonomia dhe në periudhën afatgjate do t’i kthehen shtetit në formë tatimesh”, tha ai.
Panxha, ndërkaq theksoi se përveç politikave fiskale do të ketë lehtësira edhe në akciza në mazut por ka edhe në disa politika tjera që do të miratohen, sikurse pushimet tatimore për investitorët që investojnë në Kosovë.