Papa Françesku tha se ai nuk do ta vizitojë Irakun këtë vit.
Papa e bëri njoftimin para një grupi të irakianëve, gjatë një audience të përgjithshme në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, duke thënë se udhëtimi potencialisht i rrezikshëm ishte shtyrë në kohë të pacaktuar.
“Për ju qytetarë të Irakut, unë them që jam shumë afër jush. Ju jeni në një fushë beteje. Ju vuani nga lufta”, tha ai.
Papa kishte thënë se dëshironte të vizitonte Irakun, por për shkak të shqetësimeve të sigurisë, udhëtimi nuk u njoftua kurrë nga Vatikani dhe përgatitjet nuk arritën një fazë zyrtare.
Popullsia e vogël e krishterë në Irak pësoi vështirësi të veçanta kur grupi militant ekstremist Shteti Islamik kontrollonte pjesë të mëdha të vendit.
Të krishterët në Irak, i kanë rikthyer liritë, që kur militantët e Shtetit Islamik u mundën nga forcat e koalicionit.
Muajin e kaluar, Papa Françesku u takua me presidentin e Irakut, Barham Salih, dhe të dy ranë dakord se sovraniteti kombëtar i vendit duhet të respektohet, pas sulmeve në territorin e tij nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani.
Forcat iraniane qëlluan me raketa në dy baza ushtarake në Irak, që strehonin trupat amerikane, më 8 janar, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani, nga ana e Uashingtonit më 3 janar./GE