Paqartësi rreth kostos së Projektligjit për Mësimdhënësit e viteve të 90-ta

Prishtinë | 02 Kor 2018 | 14:52 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kostoja e Projektligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit të viteve të 90-ta, ka përplasur përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit dhe Ministrisë së Punës.

Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka shqyrtuar  Projektligjin, por ka qenë e paqartë shuma që do të rëndojë mbi të.

Përfaqësuesi nga Ministria e Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë,  Agim Berdynaj kërkoi nga komisioni që të përshpejtojnë procedurat e projektligjit.

“Kemi ardhur të bëjmë kërkesë që t’i shfrytëzoni mekanizmat që ligji ta japë fjalën e fundit në fillim të shtatorit. Duke i ditur vërejtjet, kërkojmë nga ju që të shpejtoni, sepse duhet nxjerrë edhe udhëzime administrative për komponentët e caktuara që procesi të fillojë sa më mirë”.

I pakënaqur, Bahri Xhaferi nga Ministria  e Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se Ligji për Statusin e Punëtorëve ka mangësi të shumta. Sipas tij,  kostoja buxhetore e projektuar nuk përkon me realitetin.

“Ky ligj, sipas të gjitha gjasave, duhet të kalojë, por në aspektin  e parimit të përfitimit të pensionit, mendoj se ky Ligj ka mangësi të theksuara. Ky projektligj në punën e mëtutjeshem, duhet të punohet edhe njëherë, me qëllim që të inkuadrohen më shumë faktorë që duhet të merren me të. Kjo kosto buxhetore e projektuar nga MF nuk ka të bëjë me realitetin për vitin 2019”

Ndërsa, Rrahman Jashari,Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës kundërshtoi deklarimet e Xhaferit.

“Do të ishte goditje e rëndë që të kërkohet kthim e rikthim i ligjit. Ju lus, që ta bëjmë edhe një hap tutje ta dërgojmë këtë Ligj në parlament dhe po çuditem se pse veç kur bëhet fjalë për arsimin, kemi problem me buxhetin. Ligji do të kushtojë aq sa është thënë, sepse ato shënime i ka dhënë ministria e financave. Mos t’i fryjmë shifrat”

Deputetja e AAK’së, Teuta Haxhiu, ndërkohë, ka kërkuar  më shumë sqarime në lidhje me skemat pensionale

“Jam shumë e sigurt që Ligji do të kalojë për herë të dytë. Disa që jeni në ministri nuk keni arritur  t’i  rregulloni,  por i keni bërë mishmash skemat pensionale”.

Arbërie Nagavci, deputete e Vetëvendosjes, ka propozuar që Komisioni të kërkojë koston e Projektligjit.

“Ne si komision do të dërgojmë një letër për ta mësuar cila është kostoja reale për secilin vit, nëse miratohet ashtu siç është”.

Në mbledhjen e këtij komisioni është miratuar Projektligji për Inspektoratin e Arsimit, i cili i hapë rrugë kalimit të tij në Kuvend.

 

Të ngjashme