Shkolla e re “Mehmet Gjevori”, në lagjen “Arbëria”, e ndërtuar nga Komuna e Prishtinës dhe e përuruar para tri javësh, nuk ka ende as orar mësimor e as listë zyrtare të nxënësve që do të vijojnë vitin e ri shkollor aty, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drejtoria e Arsimit e Prishtinës u ka kërkuar tri shkollave të kryeqytetit, që t’ua dërgojë listat me emrat nxënësish që vijnë nga lokacionet ku Komuna i ka paraparë, përmes zonimit, se duhet të vijojnë mësimet në shkollën e re, por listë zyrtare të nxënësve që do të transferohen aty, ende nuk ka. Këtë gjë e pohojnë edhe vetë drejtues të shkollave, nxënësit e të cilave do të transferohen në shkollën e re të Arbërisë.
Komuna ka planifikuar që në këtë shkollë do të vijojnë mësimet 12 paralele, që do të përbëhen nga nxënësit e transferuar prej tri shkollave të tjera ekzistuese: “Faik Konica”, “Qamil Batalli” dhe “Emin Duraku” .