Qytetarët në veri të Kosovës kanë filluar të marrin vaksina kundër COVID-19, të cilat janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë.
Ky veprim është mirëpritur nga qytetarët e komunitetit serb që jetojnë atje, të cilët i kanë falënderuar autoritetet serbe.
Deri tani akoma nuk është e qartë se si kanë hyrë në Kosovë këto vaksina, njofton Klan Kosova.
Klankosova.tv ka kontaktuar me drejtorin e Agjensisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ardian Rugova, i cili ka thënë se ata nuk kanë lëshuar një leje për import të vaksinave nga Serbia.
“AKPPM-ja nuk ka lëshuar leje për import të vaksinave në fjalë. Gjithashtu, nuk kemi pranuar as nga Ministria e Shëndetësisë asnjë dokument për leje të importit”, ka thënë Rugova.
Qeveria e Kosovës ka dalë me një njoftim në të cilin ka thënë se nuk ka asnjë të dhënë se vaksinat kundër COVID-19 kanë hyrë në mënyrë legale në veri të vendit.
“Në bazë të informatave nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se në rrugë zyrtare – legale, në territorin e Kosovës kanë hyrë vaksinat kundër COVID-19, për të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit”.
Në njoftimin e Qeverisë tutje thuhet se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
“Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra”.
Kryetari i Odës së Farmacistëve, Arianit Jakupi, ka thënë se në rast se janë futur ilegalisht këto vaksina duhet të konfiskohen nga Inspektorati.
“Në rast se nuk ka dokumentacion që e vërteton importin atëherë ato produkte konsiderohen ilegale dhe janë të pasigurta për t’u përdorur, si dhe duhet të konfiskohen nga Inspektorati”, ka thënë ai mbrëmë në Klan Kosova.
Klankosova.tv nga mbrëmë ka tentuar të kontaktojë me Ministrinë e Shëndetësisë por nuk kanë dhënë asnjë sqarim dhe përgjigje rreth këtyre vaksinave. Po ashtu, edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë konferencës që pati sot për media nuk ka folur për çështjen e vaksinave nga Serbia.
Nga opozita ka reaguar ish ministri i Shëndetësisë dhe Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se vaksinimi i qytetarëve kundër COVID-19 në veri të vendit është një goditje e rëndë e sovranitetit të Kosovës.
Ismaili ka thënë se brenda pak muajve Serbia ka ushtruar veprime të cilat janë në dëm të Kosovës.
“Kjo mënyrë e depërtimit të Serbisë në Kosovë ,një herë me teste, pastaj me personel shëndetësor dhe sot me vaksina, shpërfaq strategjinë e Serbisë që përmes pandemisë ta shkelë dhe dobësojë sovranitetin e Kosovës dhe ta avancojë agjendën e saj kundër shtetit tonë”, ka thënë Ismaili.
Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar Haki Abazi, i cili ka thënë se vaksinimi i qytetarëve në veri të vendit nga Ministria e Shëndetësisë së Serbisë është një shkelje e sovranitetit të Kosovës.
“Vaksinimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë përbrenda territorit të Kosovës përbën shkelje të sovranitetit dhe kërcënim për sigurinë e vendit”.