Claudio Ranieri fitoi zemrat e botës së futbollit kur e udhëhoqi skuadrën e Leicester Cityt drejt titullit të kampionit të Anglisë në vitin 2016, por gjashtë vjet para këtij suksesi tekniku italian ishte afër një arritjeje edhe më romantike – një titull kampioni me ekipin e Romës.
Ranieri, i lindur dhe rritur në Romë dhe një tifoz i përjetshëm i klubit kryeqytetas, kishte marrë përsipër ekipin që nuk kishte pikë në javët e para të sezonit 2009/10, por pas një starti të ngadaltë Ranieri e udhëhoqi Romën në një seri prej 24 ndeshjeve pa humbje. Kjo seri bëri që Roma të luftonte për titullin e kampionit deri në fund. Sidoqoftë, në një nga ndeshjet më dramatike në historinë e Serie A, një humbje 2:1 në shtëpi nga Sampdoria bëri që Roma t’ia dorëzojë titullin e kampionit Interit të Jose Mourinhos që edicionin e mbylli me “tripletë” pas triumfit edhe në Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve.
Një ditë para ndeshjes së Romës, Interi kishte pësuar 3:1 nga Atalanta dhe ekipi i Mourinhos ishte i pari në tabelë me dy pikë më shumë kur kishin mbetur edhe tri xhiro të pazhvilluara deri në fund të edicionit. Megjithatë, kjo epërsi e pikëve të Interit ndaj Romës mbeti deri në fund të sezonit. Ndërkohë, Roma duelin kundër Sampdorias e luante në shtëpi në një stuhi të fortë. Për ekipin e Ranierit ishte ndeshja e fundit e fortë, të cilën e humbi për shkak se Sampdoria luftonte për një vend në Ligën e Kampionëve dhe udhëhiqej nga sulmuesi Antonio Cassano.
Një hapje vullkanike në 45 minutat e para forcoi ndjenjën se Ranieri ishte gati të godiste fyerjet e Mourinhos – që e kishte quajtur humbës serik dhe ishte tallur me anglishten e tij – pas dominimit të Romës që udhëhiqej nga kapiteni Francesco Totti.
Sidoqoftë, shefi i Sampdorias, Luigi Delneri, i ndërpreu gjërat në gjysmë të kohës dhe stabilizoi forcat në fushë. Rastet e humbura gjatë pjesëlojës së parë të Romës i kushtuan shumë, pasi sulmuesi i Sampdorias, Giampaolo Pazzini, shënoi dy gola për të mbyllur gjithçka.
“Askush nuk do të ishte ankuar nëse pjesëloja e parë do të kishte përfunduar 3:0 për Romën. Ne kishin tri apo katër raste për ta fituar ndeshjen, të cilën e humbëm. Dy golat e Pazzinit na i prenë këmbët”, ka kujtuar Ranieri.
Humbja nga Sampdoria la një shenjë të thellë për një ekip të talentuar. Kjo humbje nuk ishte traumatike vetëm për Ranierin, por edhe mesfushorin e Romës, Daniele de Rossi. Ky i fundit vazhdimisht thotë se kjo është ndeshja e vetme që do ta luante përsëri për 18 vjetët e kaluar te Roma.