Para se të hapen letrat

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 18:33 | Nga Liri Loshi

Paska pesë vite që Bashkësia Evropiane dhe Këshilli i Evropës, i paskan bërë kërkesë Serbisë që ta dorëzojë listën e atyre që kanë punuar për UDB-në famkeqe. Sipas kësaj del se deshi, apo nuk deshi Vuçiqi të na shpallë tradhëtarët tanë, dhe dëshi apo jo Kosova që ta bëjë ligjin e lustracionit, në një të ardhme relativisht të afërt, të gjithë do të njihemi me ata persona që kanë punuar për UDB-në e që ne nuk e kemi ditur. Sepse, për një numër të madh të tyre edhe e kemi ditur. Dhe, disa nga ata për të cilët nuk kemi ditur, mund të kenë zënë vend në poste të rëndëndieshme e të ndieshme publike, ku nuk përjashtohet mundësia që shumë nga të tillët të jenë aty edhe sot.

Mendoj se fjala e Vuçiqit për bërjen publike të emrave të shqiptarëve që kanë punuar për UDB-në, nuk ka për qëllim që t’i ndihmojë shqiptarët, por ta bëjë pikërisht të kundërtën, pra t’i trondisë, t’i hutojë dhe t’i përçajë ata. Disa subjekte politike menjëherë kanë filluar të manipulojnë me paralajmerimin e presidentit serb në luftën e tyre psikologjike kundër kundërshatrëve politikë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Kjo është një lojë shumë e ndyrë e të bërit politikë, meqë njollosjen e figurave të caktuara nuk e bën në bazë të informacionit të saktë, por në bazë të dezinformimit dhe paragjykimeve.

Shqiptarët e ndershëm kudo që janë, nuk duhet të bijnë pre e këtyre manipulimeve serbe dhe shqiptaresh të pa etikë politike e njerëzore. Pra, ne të gjithë duhet të presim informatën zyrtare serbe dhe miratimin e saj nga mekanizmat relevantë evropianë, por edhe ato të shtetit tonë dhe tek pastaj të reagojmë e debatojmë mbi bazë të fakteve.

Në anën tjetër, nëse ne nuk e dimë se kush cilit dreq i ka shërbyer, kjo nuk vlen edhe për vetë shërbyesit e tillë. Ata duhet ta kuptojnë se qëndrimi i tyre i mëtejmë në funksione të larta të insititucioneve tona, vazhdon t’i dëmtojë ato institucione, ta dëmtojë statusin e etabluar politik të Kosovës dhe ç’është më e keqja, vazhdon ta dëmtojë sigurinë tonë shtetërore dhe kombëtare. Është mirë që të tillët të fillojnë qysh tash që vullnetarisht t’i lëshojnë ato poste, qoftë duke u pensionuar para kohe, qoftë duke kaluar në punë tjera ku nuk cenohet interesi i shtetit e ku nuk dëmtohet edhe më tej imazhi i tij. Besoj se një veprim i këtillë do ta ndihmonte shumë shoqërinë tonë që hapja e plotë e letrave të na gjente më të përgatirur për ta menaxhuar një situatë që pritet të jetë sa tronditëse, aq edhe dramatike dhe traumatike për shqiptarët dhe shtetet e tyre Shqipërinë, Kosovën si dhe Maqedoninë Veriore.

Të ngjashme