Paraburgim të dyshuarit për sulm me thikë ndaj gruas

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 11:39 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.T, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

Sipas një komunikate të Gjykatës, të pandehurit M.T i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar prej 24.05.2018 deri më 24.06.2018.

I pandehuri M.T dyshohet se me datë 24.05.2018, rreth orës 17:00, në fshatin Gushtericë e Epërme, të komunës së Graçanicës, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuaren K.T.

Gjykata tha se pas disa mosmarrëveshjeve në mes çiftit, burri dyshohet se e kishte goditur me thikë, disa herë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e dëmtimeve nga goditjet me thikë, jeta e viktimës tani për tani është në rrezik.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.T është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Të ngjashme